Pse Gjermania është nën presion për të dërguar tanke në Ukrainë?

Rezultati i shtytjes në rritje të Ukrainës për tanket e betejës perëndimore varet kryesisht nga Gjermania.

Për muaj të tërë, Kievi u ka kërkuar aleatëve perëndimorë që të dërgojnë tanke luftarake për ta ndihmuar atë ta rimarrë territorin që Rusia e ka okupuar në jug dhe lindje të Ukrainës. Pas gati një viti të luftës, zyrtarët ukrainas këmbëngulin se tanket e prodhimit perëndimor – dhe një lloj, në veçanti, Leopard 2 i prodhimit gjerman – mund të jenë elementi që mungon.

Llogaritja pas së cilës armët dhe sistemet janë të gatshme të dërgohen nga aleatët perëndimorë ka qenë vazhdimisht në fluks ndërkohë që kushtet e fushëbetejës ndryshojnë, ndërsa aftësitë e Ukrainës – dhe besimi i aleatëve të saj – rriten, dhe ndërsa fuqitë perëndimore i rregullojnë të menduarit e tyre se cilat lëvizje do të rrezikonin përshkallëzim të patolerueshëm me Rusinë, e cila ka bërë kërcënime bërthamore.

Javën e kaluar, Britania u bë vendi i parë që i premtoi Ukrainës tanke kryesore luftarake të prodhuara nga perëndimi. Zyra e kryeministrit Rishi Sunak tha se Britania do të dërgojë 14 tankse Challenger 2 në javët e ardhshme – një ndarje e vogël, por që mund të bëjë presion ndaj vendeve të tjera kontribues potencialë. Mirëpo Britania nuk ka shumë tankse për të kursyer. Shtetet e Bashkuara e kanë ndaluar dërgimin e tankeve të veta M1 Abrams, duke i përmendur shqetësimet në lidhje me aftësinë e Ukrainës për t’i mirëmbajtur ato.

Kjo e ka zhvendosur vëmendjen tek Leopardët e Gjermanisë, rreth 2,000 prej të cilëve janë të shpërndarë nëpër Evropë. Polonia dhe Finlanda thonë se duan të dërgojnë disa nga Leopardët e tyre në Ukrainë. Sipas marrëveshjeve me blerësit, qeveria gjermane duhet ta japë nënshkrimin e saj paraprakisht për çdo transferim.

Zyrtarët perëndimorë të mbrojtjes, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin dhe homologun e tij të sapoemëruar gjerman, janë takuar premten në bazën ajrore Ramstein në Gjermani për ta diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën. Disa zyrtarë dhe analistë kishin shpresuar se një njoftim që përfshin tanket Leopard mund të dal nga ky takim – por ministri i ri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius thotë se Berlini ende po e peshon vendimin.

Pse Gjermania vendos nëse vendet e tjera mund të dërgojnë tanke Leopard në Ukrainë?

I prodhuar në Gjermani dhe i prezantuar për herë të parë në 1979, tanku kryesor i betejës Leopard 2 konsiderohet si një nga më të mirët në botë. Është një pjesë kyçe e pajisjeve për më shumë se një duzinë ushtarake evropiane, plus Kanadanë dhe Turqinë.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Ukrainës e përsëritën kërkesën e tyre të enjten për t’u furnizuar me Leopardë, “për hir të miliona qytetarëve paqësorë të Ukrainës”. Ata premtuan se forcat ukrainase do t’i përdorin armët vetëm brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të vendit të tyre – një garanci që synon ta zbusë frikën e përshkallëzimit.

Tankset kryesore të fushëbetejës janë më të rënda dhe më të fuqishme se mjetet luftarake të këmbësorisë, dhe ato janë të destinuara për të përfshirë tanke të tjera dhe për t’i thyer linjat e armikut. Mjetet luftarake të blinduara që Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania i kanë premtuar tashmë kanë për qëllim kryesisht transportin dhe mbështetjen e këmbësorisë.

Por për shkak se tanket janë të prodhuara në Gjermani, vendet e tjera që i kanë blerë duhet të marrin leje nga Berlini për t’i transferuar në vendet e treta. Vendimi i miratimit i takon kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Disa zyrtarë dhe analistë evropianë i kanë bërë thirrje Gjermanisë që t’i bashkohet një konsorciumi vendesh që secili do të kontribuonte me disa tanke Leopard në një flotë të destinuar për në Ukrainë. Polonia dhe Finlanda kanë shprehur dëshirën e tyre për të marrë pjesë, megjithëse asnjë vend nuk ka paraqitur ende një kërkesë zyrtare në Berlin për miratim.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka deklaruar javën e klauar se vendi i tij do të dërgojë 14 tanke Leopard 2 te fqinji i tij lindor, me ose pa miratimin e Gjermanisë.

Rruga tutje në mënyrë të njëanshme do të ishte “një shkelje mjaft e paprecedentë” e marrëdhënieve politike dhe kontraktuale midis Varshavës dhe Berlinit, thotë Jakub Eberle, drejtor i kërkimit në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë. “Me pak fjalë, qeveria polake ndoshta do të jetë në një situatë shumë të vështirë juridikisht në shumë fronte”.

Pse Gjermania po heziton të dërgojë ndihma ushtarake historikisht?

Hezitimi i gjatë i Gjermanisë për t’u futur në konflikte të huaja buron nga normat dhe politikat e ndërtuara mbi fajësinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. E etur për të shmangur të shikuarit si ushtarakisht agresive në dekadat që kur Gjermania është larguar kryesisht nga eksportimi i armëve në zonat e konfliktit.

Si rezultat, Gjermania shpesh përshkruhet në qarqet e sigurisë dhe politikës së jashtme si një pacifiste. Por disa analistë e kundërshtojnë këtë interpretim, duke vënë në dukje burimet e rëndësishme që Gjermania Perëndimore derdhi në ndërtimin e ushtrisë së saj të epokës së Luftës së Ftohtë dhe mbajtjen e saj të armëve bërthamore të SHBA-së, si dhe ndërhyrjet ushtarake gjermane si pjesë e koalicioneve të NATO-s në Serbi në vitet 1990 dhe më vonë në Afganistan.

Në vitin 2014 Gjermania dërgoi granata me raketa për forcat kurde që luftonin Shtetin Islamik në Irak, i cili kishte në shënjestër grupin e pakicës etnike Yazidi. Kritikët theksojnë se industria gjermane e mbrojtjes u ka shitur armë edhe liderëve autoritarë.

Qasja e Gjermanisë ndaj konfliktit ndërkombëtar bazohet më pak në një neveri parimore ndaj luftës sesa në një preferencë të rrënjosur thellë për diplomacinë dhe idenë për ta shtyrë ndryshimin përmes lidhjeve ekonomike, argumenton Eberle.

Lufta në Ukrainë e ka vendosur Berlinin në një pozitë veçanërisht të pakëndshme pasi Gjermania – dikur e ndarë politikisht dhe gjeografikisht midis bllokut sovjetik dhe Perëndimit – ka mbajtur lidhje më të ngushta me Rusinë sesa shumë nga homologët e saj. Paraardhësja e Scholz-it, Angela Merkel, e cila u rrit në Berlinin Lindor dhe flet rrjedhshëm rusishten, ndihmoi në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi të vitit 2014 me Rusinë në rajonin e kontestuar ukrainas të Donbasit. Por ajo gjithashtu e thelloi varësinë e Gjermanisë nga karburantet fosile ruse dhe e këshilloi Presidentin Barack Obama të mos dërgonte armë vdekjeprurëse në Ukrainë në vitet 2014 dhe 2015, raportoi The Washington Post.

Partia e kancelarit Scholz, Social Demokratët, shihet se ka mbajtur një pozicion veçanërisht simpatik ndaj Moskës. Edhe pasi Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt, disa ligjvënës në partinë e Scholz thanë se bashkëpunimi me Rusinë do të ishte thelbësor për sigurinë evropiane.

Si e ka ndryshuar lufta qasjen e Gjermanisë?

Në fillim, qëndrimi i Gjermanisë dukej të ishte më shumë i njëjtë: në javët para pushtimit në muajin shkurt, ndërkohë që Rusia kishte grumbulluar trupa ushtarakë përgjatë kufirit të Ukrainës, zyrtarët e Evropës Lindore e kritikuan Gjermaninë se pati premtuar 5,000 helmeta për t’i mbështetur përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës.

Dy ditë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën, megjithatë, Scholz shpalli një “Zeitenwende” – ose “kthim të një epoke” – pasi ai njoftoi se Gjermania do të armatoste drejtpërdrejt Ukrainën dhe do t’i autorizonte vendet e tjera me armë të prodhimit gjerman për ta bërë këtë. Scholz u zotua gjithashtu se Gjermania do të fillojë të shpenzojë të paktën 2 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen, objektivi i NATO-s.

Pothuajse një vit pas luftës, partitë kryesore të qendrës në Gjermani janë të lidhura gjerësisht me nevojën për ta armatosur Ukrainën, thotë Eberle.

Transferimet e armëve të Berlinit deri më sot sinjalizojnë se ai synon ta marrë një rol më të spikatur në sigurinë dhe mbrojtjen evropiane, thotë Aylin Matlé, eksperte e politikës së mbrojtjes në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.

Megjithatë, mes aleatëve perëndimorë të Ukrainës, Gjermania mbetet “në anën hezituese” në ofrimin e armëve për Kievin, thotë Eberle. Ukraina dhe disa aleatë të NATO-s e kanë kritikuar Gjermaninë se nuk po dërgon më shumë armë mjaftueshëm shpejt.

Megjithatë, në të kaluarën, pasi intensifikimit të presionit dhe partnerët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Franca, i bën të ditura dërgesat e tyre të armëve, Berlini ka ndjekur shembullin.

Kjo prirje për ndjekje është pjesë e “refleksit shumëpalësh” të Gjermanisë, sipas Eberle. Për çështjet e sigurisë, tha ai, gjermanët besojnë se ata “nuk mund të shihen se i bëjnë gjërat vetë”.

Industria gjermane e armëve ka qenë në rënie vitet e fundit, kështu që çështjet e furnizimit mund të jenë gjithashtu një shqetësim, thotë Matlé. Pistorius, ministri i mbrojtjes, tha se kishte urdhëruar një auditim të rezervave të tankeve Leopard të premten në mëngjes.

Gjermania dërgoi disa tanke Leopard në Sllovaki si pjesë e një marrëveshjeje për t’i mundësuar Sllovakisë dërgimin e automjeteve luftarake të epokës sovjetike në Ukrainë. Por Berlini nuk i ka dërguar tanket e prodhimit gjerman drejtpërdrejt në Ukrainë.

Scholz i tha Presidentit Biden në një telefonatë këtë javë se ai do të dëshironte që Shtetet e Bashkuara të angazhoheshin për t’i dërguar tanket e veta M1 Abrams gjithashtu në Ukrainë, raportoi The Post.

Diçka e tillë nuk duket e mundshme së shpejti. Uashingtoni preferon që Berlini të jetë ai që do ta marrë iniciativën, siç duket. Administrata Biden po përgatitet të shpallë një pako ndihme ushtarake prej rreth 2.5 miliardë dollarësh, e cila ka të ngjarë të përfshijë automjete të reja luftarake të blinduara. Por zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se tanku Abrams është i komplikuar dhe i shtrenjtë dhe motori i tij reaktiv e bën më të vështirë furnizimin me karburant sesa Leopardi, i cili përdor naftë.

“Ne asnjëherë nuk po bëjmë diçka vetëm nga vetja, por së bashku me të tjerët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara”, tha Scholz në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, javën e kaluar.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit sqaroi të premten se furnizimi i SHBA me tanke Abrams nuk është një parakusht për t’i zhbllokuar Leopardët për Ukrainën. Megjithatë, nevojiten më shumë diskutime mes aleatëve përpara se Gjermania ta japë dritën jeshile, thotë Pistorius.

“Askush nga ne nuk mund të thotë ende se kur do të merret një vendim dhe si do të duket ky vendim”./Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala