Ilustrim: Foto: Romgaz.ro

Pse Evropa përballet me rritje të faturave të rrymës dhe gazit?

Familje në të gjithë Evropën përballen këtë dimër me fatura shumë më të larta të energjisë, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit.

Grupet e konsumatorëve paralajmërojnë se më të cenueshmit në rajon mund të përballen edhe me mungesa karburantesh.

Përse çmimet e larta?

Kompanitë e energjisë paguajnë një çmim gjithëpërfshirës për të blerë gaz dhe energji elektrike dhe më pas ua shesin konsumatorëve. Si në çdo treg, çmimi mund të rritet ose të ulet, varësisht nga oferta dhe kërkesa.

Çmimet zakonisht rriten në përgjigje të kërkesës më të madhe për ngrohje, ndërsa në periudhën e verës janë zakonisht më të ulëta.

Por, ato tashmë janë rritur për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit, çmimeve të larta të karbonit në Bashkimin Evropian, furnizimeve më të vogla me gaz të lëngshëm për shkak të kërkesave më të mëdha në Azi, më pak furnizimeve me gaz nga Rusia dhe prodhimit më të vogël të energjisë së rinovueshme.

Çmimet standarde të gazit evropian në qendrën holandeze TTF janë rritur për më shumë se 250% qysh në janar, ndërsa kontratat standarde të Gjermanisë dhe Francës për rrymë janë dyfishuar.

Sa mund të zgjasë kjo?

Sezoni i ngrohjes dimërore në Evropë zakonisht nis në tetor dhe çmimet e shitjes nuk parashikohet të bien ndjeshëm gjatë pjesës së mbetur të këtij viti.

Kompania norvegjeze Equinor pret që shkaktarët e çmimeve të larta të gazit të mbeten gjatë vjeshtës dhe dimrit, tha shefja e saj financiare, Ulrica Fearn, për të shtuar se furnizuesi i dytë më i madh i gazit në Evropë – pas Gazpromit rus – do të rrisë prodhimin e gazit aty ku mundet, për t’i përmbushur kërkesat.

Fillimi i shpejtë i gazsjellësit Rrjedha e Veriut 2 – nga Rusia për në Gjermani – mund të ndihmojë në balancimin e çmimeve të larta të gazit në Evropë, tha një zëdhënës i Kremlinit.

Gazprom-i e ka përfunduar ndërtimin e gazsjellësit, por nuk pritet të pompojë gaz në Evropë derisa të marrë miratimin nga një rregullator gjerman. Dërgesat komerciale nuk priten në një afat të shkurtër.

Pse çmimet e konsumatorëve me pakicë rriten?

Shumë furnizues të energjisë kanë njoftuar për rritje të tarifave familjare në muajt e fundit. Kjo, pasi furnizuesit mund t’i rrisin tarifat e konsumatorëve me pakicë, kur çmimet e tregut me shumicë rriten ndjeshëm.

Furnizuesit mund të blejnë energji në tregun me shumicë në ditën e furnizimit, një ditë përpara dhe muaj ose sezone paraprakisht.

Ata duhet të përpiqen të parashikojnë se kur do të jetë çmimi më i lirë dhe ta blejnë sasinë e duhur për të mbuluar nevojat e klientëve të tyre.

Nëse furnizuesit nuk blejnë energji mjaftueshëm, ata mund të kenë nevojë të blejnë më shumë me një çmim që mund të jetë më i lartë – varësisht lëvizjeve të tregut.

Këtë vit, çmimet janë rritur gjatë gjithë verës.

A mund të ndërhyjë dikush?

Disa qeveri kanë njoftuar se do të marrin masa për të lehtësuar barrën e dimrit mbi familjet.

“Legjislacioni i BE-së i lejon shtetet anëtare që të aplikojnë masa mbrojtëse, të tilla si ndërhyrjet publike në përcaktimin e çmimeve për furnizim me energji elektrike të konsumatorëve të varfër ose të cenueshëm, në kushte të caktuara”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Kabineti i Spanjës ka miratuar të martën masa urgjente për të zvogëluar faturat e energjisë, duke devijuar miliarda euro fitime nga kompanitë e energjisë te konsumatorët dhe duke kufizuar rritjen e çmimeve të gazit.

Qeveria pret të kanalizojë rreth 2.6 miliardë euro nga kompanitë te konsumatorët, në gjashtë muajt e ardhshëm.

Greqia do të ofrojë subvencione për shumicën e familjeve deri në fund të vitit, për t’i bërë kostot e energjisë elektrike më të përballueshme, ka thënë një zyrtar qeveritar të martën.

Italia mund të rishikojë mënyrën e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, në përpjekje për të frenuar çmimet, kanë thënë dy burime të martën.

Në Gjermani, çmimet e energjisë janë bërë temë debati në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Britania, ndërkaq, ka vendosur kufi për tarifat e energjisë më të përdorur qysh në vitin 2019.

Çfarë mund të bëjnë konsumatorët?

Në vendet me shumë furnizues të energjisë, konsumatorët inkurajohen t’i ndërrojnë ofruesit e shërbimeve.

Britania ka rreth 50 furnizues për shkak të një tregu të çrregulluar, por ata që janë më të vegjël kanë më pak kapital për t’i mbrojtur blerjet e energjisë me shumicë kundrejt çmimeve të larta dhe disa prej tyre kanë dështuar muajve të fundit.

Rregullatori britanik i energjisë, Ofgem, i inkurajon konsumatorët që të kontaktojnë me furnizuesin e tyre të energjisë nëse kanë vështirësi për t’i paguar faturat, për t’iu shpjeguar se kur dhe sa mund të paguhen.

Gjithashtu këshillohen masa të tilla si përmirësimi i izolimit apo njehsorët inteligjentë, por ato mund të kërkojnë kosto fillestare.

Reduktimi i përdorimit të energjisë është shumë më i lehtë gjatë muajve të verës./REL