Pranvera Zejnullahu Raci

Pse është vështirë të menaxhohet SHSKUK-ja?

Pranvera Zejnullahu-Raçi, ish-ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, e cila sot dha dorëheqje pas gati 6 muaj në këtë pozitë, është e ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ajo gjatë intervistës ka folur për vështirësitë e menaxhimit të SHSKUK-së, duke thënë se ‘nganjëherë’ është problem që të menaxhohet.

Ajo për këtë Shërbim thotë se është një mega-strukturë që duhet të menaxhohet, duke shtuar se kur ka marrë pozitën që ajo ka ushtruar deri më sot ka thënë se fillimisht do të bëjë gjithçka të mundur që të fillohet një reformë strukturore e saj që pastaj dalëngadalë të bjerë në rend.

“SHSKUK-ja, qytetarët ndoshta nuk e dinë, pas Policisë së Kosovës është punëdhënësi më i madh publik në Kosovë. Kemi rreth 7 mijë e 500 punëtorë” – ka thënë Zejnullahu-Raçi.

Ajo tutje ka thënë se kur është një mega-strukturë e tillë, që është me shumë njësi e që menaxhohen nga një qendër, që në këtë rast është zyra e drejtorit të SHSKUK-së, zyrë e cila sipas Zejnullahu-Raçit nuk ka këshilltar të vet që do t’i ndihmojnë drejtorit apo drejtoreshën ligjërisht.

“E ka administratën, por nuk ka menaxher me ide apo plane a projekte të lejuar” – është shprehur ajo gjatë intervistës.

Tutje Zejnullahu-Raçi thotë se në SHSKUK, përpos klinikave dhe instituteve të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, që janë 37, nën këtë Shërbim janë edhe spitalet rajonale dhe qendrat e shëndetit mendor.

Problem tjetër, sipas saj, është edhe çështja se sistemi për regjistrimin e punëtorëve nuk është as i digjitalizuar dhe kjo bën që drejtori i SHSKUK-së nga Prishtina të mos e dijë nëse punëtorët e tij apo të saj, janë prezentë në vendin e punës ose jo.

Zejnullahu-Raçi ka folur edhe për draftimin e statusit të QKUK-së, ku edhe është propozuar që Qendra Klinike të bëhet me drejtor të vetin.

“Ka qenë në plan draftimi i statutit të QKUK-së, është draftu, është dorëzu, por ka kalu këtë vit në plan legjislativ. Me sa kam pasë informata ka shku në zyrë ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë” –  ka thënë ajo.

Tutje Zejnullahu-Raçi ka thënë se është shumë entuziaste që të kalojë ky draftim i statutit, e madje ka thënë se disa nga miqtë e saj i kanë thënë se është e vetmja nga drejtorët që po ka qejf që disa prej kompetencave t’i bartë në një mekanizëm tjetër.

“Statusi i QKUK-së do të mundësonte krijimin e një menaxhmenti për QKUK, se imagjino spitalet rajonale kanë drejtorë, por Qendra Klinike në Prishtinë nuk ka” – shprehet ajo.

Ajo tutje shpjegon se drejtori i SHSKUK gjatë mandatit të tij apo saj është edhe drejtor i QKUK-së.

Zejnullahu-Raçi është dorëhequr sot nga pozita e saj në SHSKUK, por ajo nuk ka dhënë detaje se cilat kanë qenë arsyet e dorëheqjes.

Ajo është emëruar në këtë pozitë në gusht të vitit 2022.