Pse është i ndërlikuar ofrimi i ndihmës ndërkombëtare për Sirinë

Rreth 70 shtete dhe 14 organizata ndërkombëtare i kanë ofruar Turqisë ndihmë pas tërmetit, ka deklaruar presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin dhe Rusinë.

Situata e ofrimit të ndihmës ndërkombëtare në Siri është më pak e qartë.

Siria udhëhiqet nga një mori grupesh të ndryshme. Disa nga zonat e Sirisë më të prekura nga tërmeti kontrollohen nga qeveria e Presidentit Bashar al-Assad, të tjera zona kontrollohen nga forcat opozitare të mbështetura nga Turqia dhe të mbështetura nga SHBA, rebelët kurdë dhe luftëtarët islamikë sunitë.

Idlibi, një nga bastionet e fundit të opozitës në Siri, kontrollohet nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një grup i armatosur islamik sunit.

Qeveria e Asadit, e anashkaluar ndërkombëtarisht dhe e sanksionuar rëndë për shkak të shtypjes brutale të një kryengritjeje që filloi në vitin 2011, i konsideron Iranin dhe Rusinë si aleatët e saj më të afërt – të dyja këto vende si të padëshirueshme globalisht.

Regjimi sirian këmbëngul që të gjitha ndihmat për Sirinë, përfshirë ndihmat për zonat jashtë kontrollit të tij, të drejtohen drejt kryeqytetit Damask.

Një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga aktivistët dhe vëzhguesit që kanë frikë se regjimi mund ta pengojë ndihmën në kohë për mijëra viktima të tërmetit në zonat e kontrolluara nga rebelët, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, sipas OKB-së.

Deri më tani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iraku, Irani, Libia, Egjipti, Algjeria dhe India kanë dërguar ndihma direkt në aeroportet e kontrolluara nga regjimi sirian. Të tjera vende si Afganistani, Arabia Saudite, Katari, Omani, Kina, Kanadaja dhe Vatikani kanë premtuar ndihmë, megjithëse është e paqartë nëse ndihma e tyre do t’i dërgohet drejtpërdrejt regjimit të Assadit.

Të mërkurën, Damasku zyrtar ka thënë se ka ngritur më shumë se njëqind strehimore të pajisura me ndihma për të prekurit nga tërmeti në zonat e kontrolluara nga qeveria, duke përfshirë qytetet e Alepo, Hama, Homs, Tartus dhe Latakia, një qytet bregdetar që ka numrin më të madh i vdekjeve nga tërmeti në Siri deri më tani, dhe më shumë se 100 ndërtesa të shembura./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala