Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse duhet të bëhet obligative lënda ‘Edukimi për Media’?

Fëmijët në Kosovë qëndrojnë gjatë në internet por nuk mësojnë në shkollë sesi të mbrohen nga përmbajtja që shohin aty.

Për këtë, Alban Zeneli, profesor në degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës ka thënë se lënda “Edukimi për Media” duhet të futet si lëndë obligative në shkolla.

“Ideja është që ne kemi studime edhe nga MAShT-i edhe nga organizata jo-qeveritare që flasin për gjatësinë dhe kohën po jo për përmbajtjen”, tha ai në KallxoPernime.

“Ministria e Arsimit te ne, lëndën “Edukimi për Media” e ka bërë lëndë ndër korrikulare në kuptimin që mund të përdorët prej të gjithë lëndëve me qëllim që të rritet mendimi kritik për problematikat e caktuara.  Por kjo nuk është duke funksionuar”, ka vlerësuar Zeneli.

Profesori i gazetarisë ka thënë se qëndrimi i gjatë në internet nga fëmijët pa pasur një mendim kritik, i dëmton ata.

“Ne e kemi një sistem të arsimit i cili nuk ndryshon, nuk kemi shtysë nga planprogramet të ministrisë që të merren me këtë problem. Ne kemi propozuar që lëndën e “Edukimi për Media” si lëndë obligative tashmë për faktin që, një ekspozim kaq i gjatë, edhe nëse nuk flasim për përmbajtjen por vetëm për kohën, që fëmijët kalojnë në internet është në disbalancim, fëmijët qëndrojnë gjatë në internet por mësojnë pak për to në shkollë”, vlerësoi Alban Zeneli.