Pse duhet reformuar skemat pensionale në Kosovë?
Rreth 300 mijë qytetarë të Kosovës përfitojnë nga ndonjë prej skemave sociale. E gjithë këto pensione buxhetit të shtetit i kushtojnë rreth 500 milionë euro. Por, edhe përkundër kësaj, skemat pensionale nuk i përmbushin nevojat që kanë qytetarët e vendit.
Në anën tjetër, të dhënat tregojnë se janë rreth 140 mijë pensionistë që deri para pak kohësh i kanë marrë vetëm 90 euro në muaj ndërsa së fundmi ata do të jenë përfitues të 100 eurove.
Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se vendi ynë ka nevojë për reformë të skemave pensionale.
“Duke e parë edhe situatën është e domosdoshme që të ketë një reformë në skemat sociale duke filluar prej ndryshimit ose plotësimit të Ligjit për skemat penasionale, ligj i cili është ashtu për një kohë të gjatë e i cili është edhe diskriminues dhe jo i barabartë edhe që është keqpërdorur jashtëzakonisht shumë nga shumë grupe të interesit”, ka thënë Rrahmani në emisionin “Kallxo Përnime”.
Reforma pensionale, sipas deputetit që vjen partia Lëvizja Vetëvendosje, pritet të ndodhë gjatë këtij viti.
“Për vitin 2022, në agjendën legjislative parashihet që ky ligj të vijë në Kuvend ku pritet të jetë edhe kontributi jonë si deputetë që të kemi një ligj i cili duhet të jetë meritor”, tha ai.
“Një pjesë e ligjit për shembull i diskriminon ata që kanë vetëm 15 vite përvojë pune deri në vitin 99-të u takon pensioni kontributdhënës kurse pjesa tjetër, edhe nëse dikush i ka 14 vite përvojë është e pamundur të qaset në pension. Ky është një diskriminim. Ka edhe kategori të tjera të cilat do të shikohen në detaje”, tha ai.
Por, skeptik për reformën pensionale është Kushtrim Shaipi, njohës i skemave pensionale.
“Dokumentin e fundit që unë e kam pasë në dorë është pothuajse i njëjtë me një dokument që ka qarkulluar në kohën kur ka qenë ministër Arban Abrashi (LDK). Dokumenti është më shumë sesa reformë sesa e skemave pensionale sepse i prek edhe ato që janë të vetëfinancuara, edhe trustin e prek edhe disa skema të reja që krijohen”, tha ai.
Ai ka dhënë disa shembuj që mund të ndihmojnë reformën pensionale.
“Qëllimi i kësaj reforme është me kursy pare jo me përmirësu mbulueshmërinë për qytetarët por me kursy pare duke i operacionalizu skemat. Të vetmet skema që kemi pasë probleme kanë qenë, janë ato skema që kanë të bëjnë me kategoritë e luftës. Sa i përket skemave që kanë të bëjnë me moshën, ajo lehtë zgjidhet, vetëm mjafton që njerëzit mos të varrosen njerëzit pa ia lëshuar një certifikatë”, deklaroi Kushtrim Shaipi në emisionin “Kallxo Përnime”.
“Ajo çfarë kemi bë ne në Kosovë deri më tani është që për secilin risk social kemi thënë po e bëjmë një skemë pensionale, qoftë edhe nëse nuk është dashtë. Për shembull, për një person me aftësi të veçanta shumë më e rëndësishme është shërbimi i një kujdestari, minimum tetë orë në ditë sesa një pension 100 euro”, tha ai.
Sipas tij, shteti i Kosovës nuk ka bërë një analizë për reforma sociale.
“Nuk janë bërë analizat për reformë sociale, koncept dokumenti i vjetër ka qenë shumë sipërfaqësor për shumicën e temave. Në momentin që si shoqëri vendosim që papunësia është rreziku më i madh, ne e mbrojmë çdo person të kësaj shoqërie. Nuk ke sistem të skemave sociale që rregullohet kjo fushë. Pensionet nuk janë skema sociale, sidomos kur është fituar përmes punës”, ka vlerësuar Kushtrim Shaipi, njohës i skemave pensionale në Kosovë.
Një analizë e cila rregullon skemën pensionale e sheh si të domosdoshme edhe përfaqësuesi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Gashi.
“Unë konsideroj që reformës duhet t’i paraprijë një analizë apo një raport i fizibilitetit që me i identifikua problemet. Për këtë është Qeveria. Ne si sindikata i kemi ngritë gjithmonë problemet, për shembull te qasja e ligjit për financimin e skemave pensionale, pasi që ne konsiderojmë që jo vetëm që është diskriminuar por edhe janë bërë shkeljet e të drejtave të njeriut pasi një shtesë e caktuar, e cila ka qenë e dëbuar dhunshëm dhe padrejtësisht nga vendi i punës, me ketë ligj janë diskriminuar”, tha ai.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për promovimin e rritjes së pensionit në 100 euro.
“Ky është një problem që 20 vite, ata janë diskriminuar kur janë larguar nga puna. Ne e kemi ngritë në çdo takim e në çdo shkresë. Pensioni i cili u promovua, prej 10 eurove, nuk është as rritje”, vlerësoi Gashi.
“Kur thuhet reformë, nuk bëhen ato vetëm për një vit apo për dy vite por duhet të bëhet një reformë e tërësishme e gjithë sistemit. Ligjet që janë hartuar, është një kohë e gjatë që nga 2014-ta dhe gjërat kanë ndryshuar, çmimet janë rritë”, tha ai.
Por, ndryshe nga Gashi mendon deputeti i LVV-së, Eman Rahmani. Ai tha se rritja e pensionit në 100 euro ishte vetëm përcaktimi i një pragu.
“Unë mendoj që është njoftim, më ka rastisur dy-tre herë me taku pensionistë dhe ua kam deklaru edhe atyre që, kjo është vetëm vendosja e një pragu ku nuk mund të kthemi në periudhën më herët, kur pensionet kanë qenë nën 100 euro. Pensionisti e ka të vështirë me përjetua sepse është duke e marrë këtë pagë edhe nuk ia ndryshuar shumë”, tha Eman Rrahmani.
Në anën tjetër, Ali Gashi nga BSPK tha se Qeveria e vendit duhet të merret seriozisht me skemën pensionale.
“Ne konsiderojmë që Qeveria duhet të mendojë edhe Ligjin për skemat pensionale kontributdhënëse për gjeneratat që janë të punësuara pas luftës. Reformën nuk duhet ta mendojmë një rikonstrukturim të gjendjes faktike por duhet parë se ku duhet të ndryshohen pozicionet”, tha ai.
Një pjesë e shoqërisë kosovare, e cila ka kërkesa për shtetin, është edhe ajo e personave me aftësi të kufizuara. Lirije Sadrija nga HANDIKOS tha se pensionet aktuale për këta persona nuk mjaftojnë.
“Ka kategori të ndryshme brenda personave me aftësi të kufizuara, paraplegjik edhe tetraplegjik të cilët kanë nevoja shumë të mëdha. Pensionet që i marrin këta persona nuk i mbulon shpenzimet, kështu që këto nuk po mjaftojnë”, tha ajo.
“Ne jemi pesimist dhe ngritja e pagës për personat me atësi të kufizuara prej 25 për qind është simbolike, nuk është e mjaftueshme pasi ata kanë kërkesa më të mëdha”, deklaroi ajo.
Në Kosovë, legjislacioni parasheh që institucionet publike dhe private t’i punësojnë personat me aftësi të kufizuara në çdo të 50-tin punëtor. Por, kjo në praktikë nuk zbatohet.
“Sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuara është bërë shumë pak, një numër bukur i madh i personave me aftësi të kufizuar kanë aftësi me punu. Ligji e parasheh që një në 50 persona me u punësu në institucione dhe ne e kemi një listë”, ka thënë Lirije Sadrija nga HANDIKOS.