Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Pse dështoi marrëveshja për punësimin e të rinjve kosovarë në Turqi?

Në mars të këtij viti, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me kompaninë “Ayyt Career” që përfaqësohej nga agjencia “Alba Berisha Consulting”.

Memorandumi parashihte mbështetje financiar prej 15 mijë eurove nga ana e MKRS-së, për dërgimin e 50 studentëve kosovarë për punë praktike në Turqi.

Këta të rinj kosovarë ishte paraparë të punonin në resorë turistikë në Antalia të Turqisë, për disa muaj, gjatë sezonit turistik.

Por, pati një interesim shumë të vogël nga të rinjtë në konkursin hapur më 13.03.2019 nga MKRS për përzgjedhjen e studentëve, sipas marrëveshjes.

Sipas kontratës, MKRS-ja mori përgjegjësinë për përzgjedhjen e 50 të studentëve që do të fitonin të drejtën për punë praktike në Antalia të Turqisë dhe 300 euro për secilin për të mbuluar çështjet administrative.

Ndërsa çështjet tjera mbetën në përgjegjësi të “Ayyt Career” e përfaqësuar nga agjencia  “Alba Berisha Consulting”.

Dështimi

Albana Berisha, menaxhere e agjencisë “Alba Berisha Consulting”, e cila përfaqësonte kompaninë turke “Ayyt Career”,  ka pohuar për KALLXO.com se arsyeja e dështimit të realizmit të memorandumit ishte mungesa e informimit të të rinjve nga ana e MKRS dhe përcjellja me vonesë e CV-ve të 5 kandidatëve që kishin konkurruar në konkursin që Ministria kishte hapur pas nënshkrimit të memorandumit.

Berisha ka thënë se marrëveshja e nënshkruar  më 4.3.2019, për realizimin e punës praktike të 50 të rinjve me pagesë në Turqi, është përcjell me jokorrektësi nga ana e MKRS-së.

Nga 50 të rinj që kërkoheshin me konkurs vetëm 5 veta kishin konkurruar.

“Njëherësh, MKRS -ja  CV-të  e 5  vetave i ka përcjellë pas përfundimit të sezonit për dërgimin e të rinjve, kështu që ka dështuar projekti, ndërkaq ‘Alba Berisha Consulting’ ka bërë shpenzime në kontaktimin e hoteleve ku kanë pasur ta zhvillojnë punën praktike”, ka thënë menaxherja Berisha.

Obligimet e MKRS-së

Në anë tjetër, MKRS në një përgjigje për KALLXO.com ka potencuar se Ministria ka përmbushur obligimin saj sa i përket memorandumit të bashkëpunimit me kompaninë “Ayyt Career” që përfaqësohej nga agjencia “Alba Berisha Conulting”.

Sipas Ministrisë, në konkurs pati vetëm 5 kandidatë të interesuar, të cilët i janë përcjellë kompanisë ndërmjetësues dhe MKRS, sipas marrëveshjes, ishte e obliguar të paguajë vetëm për 5 të interesuarit, që i bie nga 300 euro për secilin.

“Ne si Ministri marrim përsipër vetëm obligimet qe dalin nga Marrëveshja e cila specifikon edhe kohën për te cilën ata janë të angazhuar atje. Për çështje tjera te punësimit te tyre ne Turqi është zgjedhje e tyre dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi”, thuhet në përgjigjen e MKRS sa i përket marrëveshjes.

MKRS dhe kompania “Ayyt Career”, e përfaqësuar nga agjencia “Alba Berisha Consulting” më 4.3.2019 arritën një marrëveshje për t’u mundësuar 50 të rinjve  realizimin e punës profesionale praktike në formë të punësimit sezonal të tyre në Turqi.

Qëllimi kësaj marrëveshjeje ishte, siç ishin shprehur atë kohë palët nënshkruese,  avancimi i të rinjve dhe krijimi i kushteve për të punuar në punë praktike në fushën e hotelerisë gjatë sezonit veror në Antalia të Turqisë.

Sipas marrëveshjes, MKRS kishte zotuar 15 mijë për 50 të rinj përfitues duke llogaritur koston nga 300 euro për person dhe përzgjedhja të bëhej nga Ministria përmes konkursit publik.

Më 13.3.2019, MKRS hapi konkurs për këtë qëllim por pati një interesim shumë të vogël. Vetëm pesë veta shprehën interesim për konkursin e MKRS-së për punë praktike sezonale.