Pse BE-ja nuk po i sanksionon politikanët në Ballkanin Perëndimor?

Rritja e vazhdueshme e numrit të politikanëve dhe njerëzve të tjerë të lidhur me politikën nga Ballkani Perëndimor, ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione, ka bërë që të kërkohet nga Bashkimi Evropian të veprojë njëjtë.

Thirrjet për vendosje të sanksioneve janë përsëritur së fundmi, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vepra korruptive apo paraqesin rrezik për paqen dhe stabilitetin e vendit si dhe rrezikojnë të arriturat e deritashme të angazhimit ndërkombëtar.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2021, ShBA-ja sanksionoi edhe disa persona në veri të Kosovës, ndërkaq në maj të po atij viti, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, u shpall “non grata” (i padëshirueshëm) nga Uashingtoni zyrtar.

Të gjitha këto sanksione nga ShBA-ja janë mirëpritur në selinë e BE-së në Bruksel. Por, në asnjërën prej këtyre rasteve blloku evropian nuk i është bashkuar Uashingtonit për të vendosur sanksione. Brukseli ka thënë se “BE-ja mbështet secilin hap që ndihmon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që paraqesin sfidën më serioze për të ardhmen e rajonit”.

Por, në pyetjen se pse BE-ja nuk i sanksionon politikanët përgjegjës në rajon, ashtu siç po bën administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, nga Brukseli nuk janë përgjigjur qartë.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, ka rikujtuar se “BE-ja ka një varg instrumentesh, përfshirë edhe mundësinë e sanksioneve, por për përdorimin e tyre duhet të miratohet vendimi në Këshillin e BE-së me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare“.

Bashkimi Evropian ka në dispozicion një kornizë që nga viti 2011, sipas së cilës mund të vendosë sanksione ndaj atyre politikanëve, personave privatë apo organizatave në Bosnje e Hercegovinë, për të cilat beson se luajnë rol negativ në zhvillimin e demokracisë, paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin territorial apo shkelin vlerat mbi të cilat është bazuar Marrëveshja e Dejtonit.

Arsyetime të tilla të BE-së për vendosjen eventuale të sanksioneve janë të ngjashme me ato, në të cilat është thirrur administrata amerikane në rastin e sanksionimit të Dodikut.

Por, BE-ja në vend të sanksioneve vazhdon të kërkojë “zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike” dhe “ndalje të menjëhershme të veprimeve që rrezikojnë sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës”.

Në pyetjen se pse BE-ja nuk po vendos sanksione të ngjashme sikurse ka bërë ShBA-ja, e përmes së cilave do të mund të rriste rolin dhe ndikimin në rajon, në Bruksel ka lloj-lloj përgjigjesh.

Përgjigja më e shpeshtë është se “BE-ja i ka mekanizmat e vet dhe do të vendosë vetë kur është koha për t’i përdorur”. Ato qarqe që shprehen në këtë mënyrë mendojnë se ende duhet dhënë mundësi dialogut dhe që kjo krizë të tejkalohet përmes dialogut dhe sanksionimi i personave që kanë rol kyç në këto përpjekje, do të mund t’i rrezikonin vetë ato përpjekje, pasi që, personat e sanksionuar, nuk mund të bëjnë pjesë në bisedimet për reformat në atë vend.

Një arsye tjetër që përmendet është se në rast të sanksioneve ndaj strukturave politike mund të ketë pasoja edhe për qytetarët, pasi këto sanksione mund të ngadalësojnë edhe përdorimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian, e që ka për qëllim para se gjithash të ndihmojë qytetarët.

Por, shumica e diplomatëve në Bruksel e pranojnë se arsyeja kryesore pse BE-ja nuk vendos aq shpejt sanksione aq të qarta si ShBA-ja, është mungesa e unitetit mes shteteve anëtare. E sanksionet e tilla, sipas procedurave në BE, duhet të përgatiten mirë në grupet punuese, të vendosen në takime ministrore në Këshill e BE-së dhe pasi të ketë pajtim të të gjitha shteteve anëtare, sanksionet më pas miratohen.

Përveç që duhet konsensus i të 27 shteteve anëtare, miratimi i sanksioneve nga BE-ja është një proces që merr shumë kohë, prandaj, sanksione të tilla në këtë kohë duken joreale.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një Departament të Shtetit i cili merr vendime, ne kemi 27 shtete anëtare. Prandaj ne nuk i kemi të njëjtat mundësi për të vepruar me të njëjtën shpejtësi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.

Para disa javësh, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë edhe publikisht se BE-ja do të duhej të përdorte mundësinë për të sanksionuar liderin e serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik. Por, për një gjë të tillë nuk ka pasur pajtim nga të gjitha shtetet anëtare në Këshill. Hungaria ka qenë shteti i vetëm, zyrtarët e së cilit publikisht kanë folur kundër këtyre sanksioneve.

Por, diplomatët kanë përmendur edhe Slloveninë dhe Kroacinë si shtete të cilat “nuk besojnë se në këtë moment sanksionet janë zgjidhje”. Franca, po ashtu, thuhet se nuk ka qenë në favor të vendosjes së sanksioneve.

Zyrtarët e Kroacisë kanë thënë se “duhet dhënë mundësi dialogut për të gjetur zgjidhje, e cila garanton përfaqësimin e barabartë për tri kombet konstitutive dhe siguron unitetin, integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”. Por, zyrtarët e këtij shteti nuk kanë treguar nëse mbështesin ose jo sanksionet ndaj Dodikut.

Franca nga 1 janari ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së dhe gjatë drejtimit të bllokut nga Parisi, pritet që të bëhen përgatitjet e duhura që sanksionet të vendosen në momentin kur BE-ja të vlerësojë se nuk ka opsion tjetër pos sanksioneve.

Deri atëherë, nuk përjashtohet mundësia që disa shtete anëtare të vendosin edhe sanksione individuale. Një mundësi të tillë e ka paralajmëruar edhe analisti Toby Vogel, ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

“Vendet e BE-së mund të vendosin edhe sanksionet e tyre, sanksione individuale. Nuk shoh arsye pse Gjermania dhe Austria të presin të tjetët. Mund të veprojnë vetë dhe besoj se ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm simbolik, në rastin e Gjermanisë, ndërsa në atë të Austrisë edhe praktik për Dodikun dhe disa bashkëpunëtorë të tij”, ka thënë Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, diplomatët në BE nuk besojnë se do të ketë sanksione individuale sepse, sipas tyre, në atë mënyrë do të pranohej më shumë dobësia e BE-së për të pasur një qëndrim unik sesa që do të rritej fuqia e saj për të ndikuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor./REL