Pse Avokati i Popullit e dërgoi në Kushtetuese Ligjin për zyrtarët publikë?

Këshilltari i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri në emisionin “Jeta në Kosovë”, në të cilin është trajtuar punësimi në institucionet publike, ka shpjeguar arsyet se pse e kanë dërguar Ligjin për zyrtarët publikë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se Institucioni i Avokatit të Popullit, me 8 nëntor, ka përcjellë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin për përputhshmërinë me Kushtetutën të disa dispozitave të Ligjit për zyrtarët publik, janë numër bukur i madh i dispozitave.

“Duke pasur parasysh që ky ligj rregullon punësimin e zyrtarëve publik, zyrtarë publik konsiderohen edhe punënjësit që punojnë nëpër institucione të pavarura është një problem që në organizimin dhe funksionimin te institucionet e pavarura ndikon rregullimi qysh është aktualisht në këtë ligj”, ka shtuar Tahiri.

Më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020. Ky ligj ka paraparë reformë të thellë të punësimit dhe të avancimit të shërbimit civil të Kosovës.

Burim Tahiri nga Avokati i Popullit ka treguar se kanë pranuar ankesa nga disa institucione si, Agjencia e Forenzikës, Policia e Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Agjencia e Firenzikës është anku për trajtim të pabarabartë. Agjencia e Forenzikës është ankuar për trajtim të pabarabartë përderisa Inspektoriati Policor dhe AKI janë përjashtuar ndërsa Agjencia e Forenzikës nuk janë përjashtuar ndërsa me Ligjin për pajisje me armë dhe municione të gjitha konsiderohen institucione shtetërore të sigurisë. Policia e Kosovës është ankuar te disa pika të rekrutimit”, ka theksuar Tahiri.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.

Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosjëe për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: