PSD vendos në Ministrinë e Jashtme 'flamuj me 500 euro' me fytyrën e Martin Berishajt
Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik ndaj aferës së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Para Ministrisë së Punëve të jashtme kanë ndërruar flamurët duke vendosur kartëmonedhë me 500 euro me fytyrën e ambasadorit Martin Berishaj
Nol Nushi sekretar i PSD-së tha se këta flamuj përfaqësojnë Ministrinë ë Punëve të Jashtme e cila ka kapur flamurin e mbrojtjes së “skandalit”, të Martin Berishaj.
“Ministria e punëve të jashtme të Kosovës praktikisht është shndërruar në një ministri, e cila e ka kapur flamurin e mbrojtjes së skandalit të Martin Berishaj, kjo ministri nuk e përfaqëson Kosovën, siç e dini sepse nuk ka asnjë aktivitet përfaqësimit të Kosovës nga jashtë, mekanizmi i kësaj ministrie dhe praktikisht gjithë mekanizmat shtetërorë janë vënë në kor në mbrojtje të skandalit Martin Berishaj”, tha Nushi.
Rastin e Berishajt PSD e quan “skandal ballkanik”, për tërheqjen e parave në periudha të ndryshme dhe të pa deklaruara në institucionet e Kosovës.
“Nga ato që kemi parë në media, të konfirmuar nga organizata të ndryshme janë tërheqje të parave kesh në periudha të ndryshme me vlerë mbi një milionë euro, para kesh të një ambasadori të Kosovës në Kroaci, të cilat këto para nuk i ka të deklaruara në asnjë institucion në Kosovë, nuk i ka të deklaruara as bizneset jo vetëm në Kosovë por edhe në vende të tjera gjithandej Ballkanit, pra nga një ministër i Kosovës është shndërruar në një skandal mbarë ballkanik”- pohoi Nushi.
Ai shtoi se mbrojtja e ambasadorit Berishaj ka arsye dhe beson që shiriti i shkeljeve mbërrin deri në krye të shtetit.
“Që në krye të herës së parë kur plasi skandali e deri tek mbrojtja e tij tash neve na bën të besojmë që këtu shiriti i shkeljeve mbërrin deri në krye të shtetit, deri tek presidenca, deri tek kryeministri Kurti dhe deri tek zonja Gërvalla që është shefe e zotit Berishaj”- deklaroi ai.
Sekretari PSD-së tha se Berishaj po duket qartazi që është pjesë e mafisë energjetike në Ballkan.
“Për çështjen e energjisë nuk kemi çfarë të flasim më shumë është e ditur që mafia e energjisë në Ballkan ekziston, aty janë të përfshira shumë shtete, shumë sekserë dhe biznesmenë, një ndër ta po duket qartazi që është edhe zoti Berishaj i cili është i zënë në flagrancë duke tregtuar energji me “Genin”, me seli në Beograd, një kompani deri dikur e anatemuar nga vetë kryeministri Kurti, çka është e befasishme por tashmë edhe e kuptueshme është mbrojtja e pakusht që po i bëhet këtij ambasadori”- shtoi Nushi.
Sipas përfaqësuesit të PSD-së prokuroria duhet të ketë ngritur kallëzim penal lidhur me rastin.
“Duhet bërë e ditur që prokuroria me shumë gjasë ka ngritur kallëzim penal, ende nuk është zyrtare por burimet ndryshme e konfirmojnë këtë, zoti Berishaj po hetohet për pastrim parash , hetohet për shmangie tatimit, hetohet edhe për fshirje të biznesit, fshehja e biznesit është e sigurtë tashmë e pranuar edhe prej zotit Berishaj, firmat ekzistojnë ato mund t’i zbulojmë vet nuk ka nevojë me pyet askënd”- theksoi ai.
Sipas tyre ministrja e Jashtme Donika Gërvalla këtë “skandal kaq të madh” po e redukton në një konfidencë personale duke thënë që i beson ministrit dhe jo fakteve që tashmë po dihen.
Gërvalla i konsideron ‘spekulim të mediave’ raportimet për ambsadorin Berishaj