PSD vendos mbishkrime në rrugën Prishtinë-Gjilan, i referohet deklaratës së ministrit Aliu për autostradën e Gjilanit
Anëtarë të Partisë Socialdemokrate (PDK) kanë vendosur mbishkrime në rrugën Gjilan-Prishtinë.
“Po pritoj me fol për autostradë” është shkrimi që është shkruar nga PSD-ja, bashkë me fotografi të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ky shkrim i referohet deklaratës së ministrit Aliu për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.
“Hezitoj dhe pritoj të flas sepse kemi pengesa dhe zvarritje…nuk mund të ju jap datë”- kishte thënë Ministri Aliu më 23.10.2024, kur ishte pyetur se kur do të përfundojë ndërtimi i autostradës.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se një rajon i tërë ka mbetur peng i përtesës së ministrit të Infrastrukurës.
Për Molliqaj, mospërfundimi i autostradës po rrezikon jetën e qytetarëve.
“Thanë që autostrada është thuajse e përfunduar e pastaj që premtimi ishte i gabuar se kryeministri u vu në lajthitje. Sot e asaj dite, plot një mandat dhe autostrada është e papërfunduar, e Anamorava, nëse jo e izoluar, rrezikon jetën në rrugën e vjetër për Prishtinë e pa urë në Badovc. Ministër, ti edhe përton me fol për autostradën, por ne jo. Të vetmit që u vunë në lajthitje janë qytetarët e Gjilanit, Kamenicës e Vitisë, të cilëve nuk prituat t’ua kapni votën me premtime e mashtrime”- shkroi Molliqaj në Facebook.