Frashër Krasniqi

PSD thotë se djali i Tomë Gashit e ka sulmuar Frashër Krasniqin

Partia Socialdemokrate ka thënë se anëtari i kësaj partie Frashër Krasniqi, është sulmuar nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Gashi.

“Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njëjti, duke sulmuar shante Nol Nushin”, thuhet në komunikatën për media të PSD-së.

“Sharjet masive, kërcënimet e linqimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret”, thuhet tutje në komunikatë.

Me këtë rast, sipas PSD-së, duhet të merret Policia e Kosovës.

“Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason. Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri. Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet”, thuhet në fund të komuinkatës për media.

KALLXO.com ka kontaktuar me Tomë Gashin, babain e Albin Gashit, për ta konfirmuar rastin.

“Jo, nuk kam informatë, hera e parë po dëgjoj prej juve. Nuk besoj që ma ka rrah dikush klientin tim, sepse ai është klienti im”, tha tutje ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe vetë Albin Gashi por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm për koment të menjëhershëm.