PSD-së: Kurti po tenton ta kontrollojë Këshillin Prokurorial

Para Këshillit Prokurorial të Kosovës është mbajtur një aktivitet nga Partia Socialdemokrate, PSD për të kundërshtuar ndryshimet në ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Drin Kukaj, anëtar i kryesisë në PSD-së, ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës tani është në duart e Albin Kurtit.

“Kemi ardhur sot që të denoncojmë ndryshimet legjislative që kanë ngjarë dje në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në leximin e dytë në raport me ndryshimet legjislative për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, tha ai.

Kukaj shtoi se me ndryshimet e bëra, vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme, siç është zgjedhja e prokurorit, kryeprokurorëve të prokurorive si dhe çështje disiplinore të prokurorëve do të jenë të kushtëzuara nga anëtarët jo prokuror në këtë këshill.

“Anëtarët jo prokurorë që do të delegohen nga pushteti do të kenë një lloj vetoje mbi vullnetin që do ta kenë anëtarët prokurorë në këtë Këshill. Këto ndryshime legjislative prej kur kanë filluar e deri më tash janë ballafaquar me vërejtje serioze nga Komisioni i Venecias por edhe nga Shoqëria Civile”, shtoi ai.

Kukaj tha se këto vërejtje kanë një emërues të përbashkët që ndërlidhen me kontrollin politik në Sistemin Prokurorial të Kosovës.

“Ky këshill shumë shpejtë do të jetë në kontrollin politik të Kurtit. Ky cenim kaq serioz i pavarësisë së këtij institucioni gjithmonë do të zhvillohet në dëm të drejtave fondamentale të njeriut. Për fund krejt kapja e sistemit prokurorial që iu është bërë dje përmes ndryshimeve legjislative në Kuvendin e Kosovës do t’i mundësojnë pushtetit të realizoj arrestime spektakulare dhe damkosjen e çdo kundërshtari të këtij sistemi politik”, tha ai.

Dje në Kuvendin e Kosovës është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ndërkaq më 22 qershor, Kuvendi nuk kishte kuorum për tu votuar kjo pikë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj tha se nuk do të marrin pjesë në votim me arsyetimin se ka ndërhyrje të pushtetit.

“Ndërhyrjet e pushtetit përmes legjislacionit në trupat e pavarur kushtetues në sistemin e drejtësisë dhe pavarësisë së saj shihet qartazi përmes plotësim ndryshimit të këtij ligji siç është për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, tha Zemaj.

Kuvendi pa kuorum për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës