PSD: Qeveria reagoi vonë dhe prej zori

Partia Socialdemokrate ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës pasi kjo e fundit reagoi mbrëmë për arrestimet në aksionin e PSD-së.

Sipas PSD-së, Qeveria e Kosovës ka reaguar vetëm pas presionit të madh të qytetarëve dhe opinionit publik.

Sipas tyre, ky reagim ka qenë i vonshëm dhe nga zori.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovë ka thënë se beson në të drejtën për protestë demokratike, sepse sipas tyre, ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që garantohet në shoqërinë demokratike.

Po ashtu, në reagim, Qeveria është shprehur e shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë aksionit të PSD-së.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar dje gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

PSD përmes rrjetit social “Facebook” dje kishte kërkuar urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë.

Reagimi i plotë i PSD-së:

Reagimi i Qeverisë nuk erdhi pasi u përdor dhunë nga policia, as pasi u arrestuan aktivistët. Qeveria ka reaguar vetëm pas presionit të madh të qytetarëve dhe opinionit publik. Prandaj reagimi doli në ora 23:00. Kjo është mënyra e vetme sesi ky pushtet matet. Reagimi është i vonshëm, dhe erdhi prej zorit.

Dhuna policore ndaj aktivistëve tregon për fillimin e përndjekjeve. Ajo merr forma të ndryshme në kohë, por qëllimi është i njëjtë: paqtimi i dallimeve, dëgjueshmëria, disiplinimi. Policët më të zellshëm në ushtrimin e dhunës janë ata që marrin tagrin moral e politik prej popullizmit të Kryeministrit Kurti. Rendet me tendenca totalitare janë të rrezikshme sepse funksionojnë pa nevojën për komandime direkte nga sipër. Dhuna policore është e papranueshme. Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit. Qeveria fshihet prapa një reagimi që flet për të drejtën për protestë, e në njëjtën kohë dhe për të njëjtin parim mbanë të burgosur Kryetarin e PSD-së.

Por t’i kthehemi përsëri pyetjes qendrore: Pse 5 euro tiketë? Pse po krijohet monopoli? Pse?