PSD proteston me 25 mars, kërkon dorëheqjen e Albin Kurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se me 25 mars kjo parti do të organizojë një protestë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, për shkak të marrëveshjes së dakorduar dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në një konferencë për media, Molliqaj tha se në këtë dakordësim nuk ka  njohje në qendër e as njohje de-facto të Kosovës nga ana e Serbisë.

“Leximi më i mirë dhe më i saktë i marrëveshjes së arritur me 27 shkurt është përmes planit të veprimit. Pra plani i veprimit tregon se cka është plani i marrëveshjes. Përmes planit të zbatimit vërehet që për Kosovën ka vetëm obligime dhe ka vetëm shkop. Ndërsa krejt cka ka për Serbinë, janë disa obiligime ndërkombëtare që do të bëhen, por në anën tjetër e ka marrë karrotën që e ka dashtë, që është asociacioni” – ka thënë Molliqaj para gazetarëve.

Tutje, Molliqaj ka thënë se një mashtrim tjetër sipas tij, i qeverisë, është çështja e nënshkrimit të marrëveshjes apo jo, duke thënë se nuk ka rëndësi.

“Ndërmjetësuesi nuk ka planifikuar nënshkrim, kjo varet nga ndërmjetësuesi se a dëshiron apo jo. Marrëveshja vlen si e nënshkruar si e pa nënshkruar. Prandaj, kjo është tendeca tjetër. Ajo çka është shumë e rrezikshme,thelbi i marrëveshjes është asociacioni plus. Sipas pikës së pesë do të bëhet sipas marrëveshjes së viteve 2013 dhe 2015. Është fitore spektatolare e Serbisë” – tha Molliqaj.

Molliqaj ka kritikuar edhe partitë opozitare në parlament duke thënë se kanë heshtur, ndërsa kryeministrin Kurti e ka quajtur ‘Albina Zajednica’.