Dardan Molliqaj në konferencë për media | Foto: KALLXO.com

PSD paralajmëron protestë më 21 shtator, kundërshton vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara

Partia Socialdemorakte e Kosovës do të protestojë të enjten më 21 shtator në Gjilan për të kundërshtuar vizitën e kryetares e Dhomave te Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha sot përmes një konference për media se e kanë kundërshtuar që nga fillimi këtë Gjykatë, duke e cilësuar gjykatë politike.

“Duke e pasë parasysh që proceset në ketë gjykatë janë duke shkuar në mënyrë shumë negative, ju i keni parë pretendimet e prokurorisë që bënë kërkesa edhe anti-ligjeve, të cilat kanë qenë të aplikueshme” – tha Molliqaj gjatë konferencës. .

Ai ka thënë se e vetmja rrugë që ka mbetur, është të kundërshtohen përmes protestës.

“Kërkesat e prokurorisë së kësaj dhome janë më të larta sesa të gjykatës së Hagës për krimet në ish0 Jugosllavi. Për dy grupet, për Limajn dhe Haradinajn, kërkesa ka qenë nga prokuroria 20 vite dhe janë liruar të dy udhëheqësit, ndërsa tani për një ushtar të rangut të mesëm, kërkesa është për 35 vite burg” – tha tutje ai.

Molliqaj ka ftuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të bashkohen në protestën e së enjtes.

“I ftojmë pjesëtarët e UÇK-së të bashkohen. Ne kemi besuar fuqishëm që protesta duhet të jetë sa më masive dhe duhet do të jemi atje për t’i treguar Trendafiloves se qytetarët nuk janë dakord me këto veprime dhe kjo nuk është çështje për sondazhe”- ka thënë shtuar ai.