PSD nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale

Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur që nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor 2021.

PSD ka treguar arsyet se përse kanë vendosur kështu.

“Ky vendim nuk vjen sepse kemi bërë ndonjë hierarki prioritetesh ku zgjedhjet lokale nuk janë në fillim. Ne jemi të bindur se edhe këto zgjedhje, sikur zgjedhjet parlametare janë kornizim i luftës politike që s’do ta pranojmë. Numri, ligji dhe forca janë termat që i vizaton pushteti. Pozita jonë është jashtë tyre, si botëkuptim dhe si praktikë”, thuhet në njoftim.

Tutje nga kjo parti kanë bërë të ditur që vendimi për mospjesëmarrje i është dërguar edhe kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Njëkohësisht, sot i kemi deleguar, Grupit Punues të Kamenicës dhe Kryetarit Kastrati vendimin për pjesëmarrjen eventuale në  Komunën e Kamenicës. Secili vlerësim i tyrë, është i pranueshëm për ne”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Në mars të vitit 2018, një grup prej 12 deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje kaluan në PSD.

Kjo parti lidhi koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019, por nuk arriti të fitojë asnjë ulëse.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit nuk ka marrë pjesë.