PSD me aksion para Kuvendit për Ligjin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë

Anëtarë të Partisë Social Demokrate (PSD) kanë mbajtur një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, pasi sot në rend dite, Kuvendi ka miratimin e Ligjit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë.

PSD-ja në hyrje të Kuvendit të Kosovës kanë vendosur një baner me shumë emra shqip e në mes të këtyre emrave ka qenë mbishkrimi “Nën Hetime”.

Përmes këtij aksioni PSD tha se secili emër në shoqërinë tonë mund ta gjejë veten në listën e hetimeve të kësaj qeverie.

“Ne këtu kemi tregu qysh në bazë të shumë emrave tonë në shoqerinë tonë, secili mund ta gjejë vetën pjesë e këtij hetimi” – ka deklaruar Molliqaj.

Dardan Molliqaj e konsideron ketë byro si byro politike që ka për qëllim shantazhin ndaj qytetarëve.

“Kjo byro nuk është byro shtetërore, është byro politike e shantazhit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës” – ka thënë Molliqaj.

Tutje anëtari i PSD-së tha se synimi i kësaj qeverie është që secilin qytetar ta shoh si të dyshuar dhe të ketë kompetenca në secilin agjencion.

“Qeveria e Kosovës është qeveri që ka pasur dy synime krejt tjera, e para me e pa secilin si të dyshuar dhe e dyta secilin agjencion apo organizim tjetër të pavarur me këqyrë me ia ngushtu ose me i kontrollu kompetencat e tij”.

Pjesë të këtyre hetimeve të qeverisë në pushtet, sipas Molliqajt do jenë policët, ushtarët, mësimdhënësit, mjekët e secili njeri që ka marrë para nga shteti i Kosovës prej vitit 2008.

“Me një ligj këta duan që secilin polic, secilin ushtarë, secilin punonjës teknik në shkollë, secilin mësimdhënës, secilin mjek, secilin qytetar në një formë ose një formë tjetër që ka marrë para nga shteti i Kosovës ose ka marrë nga vitit 2008 kur u shpall pavarësia, është i dyshuar për qeverinë” – ka deklaruar Molliqaj.

Ndër të tjera Molliqaj paralajmëroi edhe aksione tjera që do të organizoj PSD lidhur me Ligjin e Byrosë së konfiskimit të pasurisë.