Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PSD: Marrëveshja e targave është e dëmshme dhe kthim prapa për Kosovën (FOTO)

Partia Social Demokrate (PSD) ka zhvilluar një aktivitet pranë Qeverisë së Kosovës duke kundërshtuar marrëveshjen e arritur në Bruksel për targat e automjeteve nga Serbia.

Aktivistët e PSD për të kundërshtuar këtë marrëveshje, kanë vendosur targa në formë të letrave ngjitëse në veturat zyrtare të Qeverisë. Gjithashtu ata kanë shkruar në veturat zyrtare mbishkrime “KM”.

Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni ka thënë se arsyeja e aksionit të sotshëm është për shkak se marrëveshja për targat cilësohet si e dëmshme dhe kthim prapa për Kosovën.

“Arsyeja e aksionit që e kemi ndërmarrë sot është me e denoncu zhvillimin mbi marrëveshjen për targat si të dëmshëm dhe kthim prapa për Republikën e Kosovës”, ka thënë Hyseni.

Hyseni ka deklaruar se ajo çka është shqetësuese, janë zhvillimet në vijim.

“Janë shqetësuese edhe zhvillimet në vijim, pasi dje e kemi pasë një deklaratë të ndërmjetësuesit prej zyrës së Bashkimit Evropian e cila paralajmëron që meqë Kosova po insiston zbatim të marrëveshjes, atëherë çka na pret është edhe zbatimi i marrëveshjeve tjera, ku në radhë të parë është asociacioni”, është shprehur Hyseni.

Sipas Hysenit marrëveshja për targat targat është në logjikën e asociacionit sepse kriterin e ka etnik dhe territorial.

“Pra në Kosovë në bazë të etnisë. Kemi targa KM që vlejnë në një pjesë të territorit pra në veri, dhe kemi targa RKS për pjesën tjetër. Kjo domethënë është në  logjikën e ndarjes së brendshme”, ka treguar nënkryetari i PSD-së.

Tutje ai ka shtuar se Qeveria targat po i quan ilegale e në anën tjetër po i pranon si marrëveshje dhe se  “Prej planit për reciprocitet simbolik në targa kemi kalu në logjikën e ndarjes së brendshme që është logjikë e zajednicës”.

Më 30 shtator është arritur një marrëveshje e përkohshme për targat në Bruksel.

Sipas kësaj marrëveshjeje, KFOR më 2 tetor do të zëvendësojë Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe do të qëndrojë për dy javë pranë pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Po në këtë ditë, sipas marrëveshjes, nga ora 08:00 deri në ora 16:00 do të largohen edhe kamionët që kanë bllokuar rrugët.

Ndërsa nga 4 tetori, do të fillojë përdorimi i stikerave/afisheve në vetura.

Lajçak ka njoftuar se më 21 tetor 2021, do të mbahet një takim në mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian për t’u gjetur një zgjidhje e përhershme për targat e veturave.

Më 20 shtator 2021 Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë.

Sipas vendimit, të gjithë veturat që hynin nga Serbia duhej të vendosnin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Kjo u prit me protesta dhe bllokim rrugësh nga banorët e veriut të Kosovës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës që nga 20 shtatori po qëndron pranë pikave kufitare në veri të vendit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com