Frashër Krasniqi

PSD kërkon të falen qytetarët e dënuar në kohë pandemie

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka kërkuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, që t’i falin qytetarët e dënuar në kohë të pandemisë, për shkak sepse sipas tyre vetë ministri në detyrë nuk është duke i respektuar masat e kufizimit për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Ne bëjmë thirrje publike që sa më shpejtë të falen qytetarët të cilët janë dënuar në kohë të pandemisë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në konferencën para Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se kanë mbledhur shkeljet e ligjit që ka bërë Zemaj këto ditë.

“Kemi qenë dëshmitar të gjithë, veprojnë në kundërshtim me ligjin që e kanë bërë vetë. Sot ministri Zemaj doli dhe tha që nuk ka lirim të masave, normal sepse zotërinë Zemaj nuk e pengojnë këto masa”, tha ai.

Më 12 janar janë arrestuar 16 aktivistë të Partisë Social Demokrate (PSD) pas aktivitetit “të paparalajmëruar” për shkrimin e grafitevë në sipërfaqen murale të stacionit policor Qendra. Aksioni PSD-së kishte për qëllim që të shfaqte “hipokrizinë e institucioneve” që gjobisin qytetarët e jo politikanët për shkelje të masave anti-COVID.