PSD-ja kritikon Qeverinë për rritjen ekonomike dhe ngritjen e çmimeve

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar Qeverinë për rritjen ekonomike, si dhe ngritjen e çmimeve.

Përmes një konference për media, Molliqaj ka thënë se krejt çka po ndodh është rritje ekonomike që nuk përkthehet në mirëqenie të qytetarëve.

“Përballë kësaj gjendje, pushteti me masat ekonomike po i trajton nevojat e veçanta të qytetarëve njëjtrajtshëm e njëzëri, athua që janë të barabartë në parakushtet e tyre të ekzistencës”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, çmimet për produktet bazë që nga shtatori i vitit 2020 deri në vitin 2021 kanë shënuar rritje prej 28%.

“Janë mbi 144 mijë pensionistë të cilët duhet të mbijetojnë me 100 euro në muaj; kemi një numër të madh të punëtorëve të cilët duhet të mbijetojnë me një pagë minimale prej 135 eurosh në muaj. Mund të themi lirshëm që kjo rritje enorme e çmimeve nuk ka sesi t’i prek barabartë të gjithë; një qytetar i varfër dhe një i pasur nuk kanë sesi të vuajnë njëjtë nga rritja e çmimit të bukës e vajit, miellit e qumështit”, ka thënë Molliqaj.

Sipas Molliqajt, PSD-ja e sheh të nevojshme që me urgjencë të implementohen katër politika që prekin shumicën që i vuan pasojat e rritjes së çmimeve.

Funksionimi i Këshillit Ekonomiko-Social, sipas Molliqajt, që nuk  është funskional që  nga viti 2011 duhet të bëhet.

“Rritja e pagës minimale në 350 euro, e cila poashtu, qysh nga viti 2011, ka qëndruar e paprekur. Produktet bazë, për, miellin, kripa, sheqeri, buka e qumështi duhet të lirohen nga TVSH-ja; Pas lirimit nga TVSH-ja të këtyre produkteve bazë, diferenca e rritjes së çmimit nga muaji paraprak në muajin kur është rritur duhet të subvenciohet nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se javën e ardhshme do të ketë aksion simbolik në lidhje me rritjen e çmimeve.