Arkiv - Foto: KALLXO.com, Dardan Molliqaj

PSD edhe njëherë fton për protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka mbajtur konferencë për media një ditë para protestës që kanë ftuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Molliqaj kërkoi të hidhet poshtë propozimi i ZRrE-së sepse sipas tij ky propozim në njërën anë i favorizon ata të cilët kanë shumë, ndërsa i ndëshkon shumicën në këtë vend.

“Ne ftojmë nesër secilin qytetar të Republikës së Kosovës, partitë opozitare, organizatat e shoqërisë civile, e kushdo çoftë tjetër që ndan bindjet e njëjta me ne”, u shpreh ai.

Ai tha se janë bindur që numri i madh i protestuesve nesër do ta kthej vendimin mbrapa.

Sa i përket protestës, Molliqaj u shpreh se do të jetë simbolike dhe e qetë.

Në lidhje me partitë opozitare ai tha se do ta mbështesin këtë protestë dhe kërkesat e PSD-së.

“Këto parti opozitare e kanë shter metodën e tyre parlamentare, mirëpo ka pasur një lëvizje nga kryetarët dhe kanë pajtim për kërkesat tona”, tha më tutje ai.

I pyetur nga KALLXO.com se kur pritet të ketë protesta të tjera në rast se nuk ndryshohet vendimi për energji elektrike ai tha nesër do të njoftojnë.

“Do të shohim veprimin e Qeverisë dhe nëse vendimet janë të njëanshme prapë nuk na mbetet gjë tjetër vetëm që ne ato ti kundërshtojmë me aktivitete, aksione dhe protesta të ardhshme”, u shpreh ai.

Gjatë ditës së djeshme, PSD kishte bërë një aksion kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ku ka vendosur një mbishkrim tek zyra e ZRrE-së.

“Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën” është shkruar në prag të derës së zyrës së ZRrE-së, pasi ky institucion propozoi rikthimin e bllok-tarifave.

VIDEO – ‘Ju rrisni çmimin, ne rezistencën’, PSD me aksion te zyra e ZRrE-së