PSD e quan të sajuar aktakuzën ndaj aktivistëve të saj dhe të VV-së

Aktakuzën e ngritur dje nga Prokuroria Speciale ndaj Gëzon Kastratit, Korab Korçës dhe Çlirim Gërbeshit, dy të parë aktivistë në Partinë Socialdemokrate e i fundit në Vetëvendosje, për veprën penale “Përgatitje të veprës terroriste”, Partia Socialdemokrate e ka quajtur të sajuar.

PSD përmes një komunikate për media ka kujtuar kohën kur aktakuza ndaj Astrit Deharit, Adea Batushës, Atdhe Arifit, Egzon Halitit, Frashër Krasniqit dhe Petrit Ademit është hedhur poshtë për mungesë provash për rast të ngjashëm me të tanishmin.

“Jo shumë moti e kemi rastin e ngjashëm ku aktivistëve Astrit Dehari, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi ju hudheshin akuza për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, e që në fund u rrëzua si rast në mungesë provash dhe në këtë mënyrë u bë i pamundur vazhdimi ose fillimi i një procesi të ri. Është e papranueshme që akuza kaq të rënda të përcillen me procese të dyshimta, e që rëndojnë vetëm mbi të akuzuarit dhe asnjëherë mbi trupën gjykuese, apo faktorët tjerë relevant për rastin, të cilët qartazi nuk e kanë kryer punën siç duhet”, thuhet në komunikatën e tyre.

Në komunikatë po ashtu thuhet që, ky rast është i montuar politikisht dhe cenon zhvillimin e Kosovës si shtet demokratik.

“Kjo na le të kuptojmë se qëllimi ishte disiplinimi i qytetarëve protestues, përmes inskenimeve të rasteve ndaj aktivistëve, për të cilët nuk u gjetë asnjë provë. I njëjti fat e pret edhe rastin në fjalë. Rastet e montuara politikisht cenojnë mundësinë që Republika e Kosovës të zhvillohet si vend demokratik. Kjo gjë nuk do të lejohet në asnjë mënyrë. Ne jemi të bindur që ky proces është i sajuar dhe si i tillë do të rrëzohet. Partia Socialdemokrate mbështet aktivistët në secilin hap të nevojshëm për dëshmimin e pafajësisë së tyre. Kërkojmë nga prokuroria që sa më parë të ndalojnë persekutimin politik të aktivistëve pa asnjë bazë faktike”, përfundon komunikata e PSD-së.

Dje, ish-kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Gëzon Kastrati, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ndaj tij ka ngritur aktakuzë për terrorizëm.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, zyrtari i PSD-së ka njoftuar aktakuza është ngritur edhe ndaj bashkëpartiakut të tij, Korab Korça dhe ndaj aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Çlirim Gërbeshit.

 

 

Aktakuzë për terrorizëm ndaj kandidatit për deputet nga radhët e PSD-së

.