PSD e quan nëndegë të LVV-së Presidencën
Partia Socialdemokrate ka realizuar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, ku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka shndërruar Presidencën në nëndegë të saj.
Anëtari i kësaj partie, Nol Nushi tha se Albin Kurti e ka kthyer këtë institucion në vegël të tij.
“Siç edhe mund ta shihni zyra prapa nesh deri vonë ka shërbyer si zyrë e presidencës së Kosovës, mirëpo sot në mënyrë solemne, ne e përuruam nëndegën e re të Lëvizjes Vetëvendosje që quhet ‘nëndega presidenca’, sepse për disa muaj kjo tash është një nëndegë e kësaj partie. Ata nuk po e thonë zyrtarisht por ka vepruar si e tillë.
Përvoja jonë si qytetarë me institucione që i shërbejnë partive nuk është e mirë dhe kjo përvojë e ka rritur pakënaqësinë e qytetarëve me institucione,” tha Nushi.
Ai tutje akuzoi edhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, se përdori zyrën e këtij institucioni për arritjet e saj politike, gjë që dikur sipas tij, ajo e quante abuzim.
Nushi tutje e quajti liderin e LVV-së , Albin Kurti si ‘lider suprem’ që dëshiron t’i marrë të gjitha.
“Vjosa Osmani si ushtruese e presidentes e përdori pikërisht këtë zyrë për ta themeluar listën e saj të ashtuquajtur ‘Guxo’, ajo aty punësoi njerëz të cilët pas 3-4 ditëve i paraqiti si aderime të mëdha.
Ajo përmes këtij institucioni shpërndau paga me vlerë deri 700, veprime që dikur i quajti si abuzive.
Veturat e kësaj presidence janë shndërruar në vetura të partisë politike dhe shumë shpejtë kemi për ta parë edhe figurën e liderit suprem nëpër haubat e këtyre veturave.” tha ai
Ne kemi qenë dëshmitarë se si institucionet e shtetit janë kapur më herët, mirëpo tani jemi para një mendësie të re, duke pretenduar për një kredo morale, Kurti dëshiron t’i marr krejt dhe këtu Vjosa Osmani po shërben si një instrument shumë i lehtë dhe i përshtatshëm. Në emër të çkapjes po ndodhë një instalim i ri në postet kyçe të shtetit, të besuarave të liderit suprem.
Osmani është përshtatur shumë mirë me mendësinë totalitare të Kurtit, por përdor metoda të vjetra të kërcënimit dhe shantazhit; ishim dëshmitarë në rastin e KQZ-së.
Kjo do ta cenojë demokracinë dhe kufizojë lirinë e qytetarëve dhe sigurisht që rezistenca do të rritet,” ka thënë Nushi.