Zgjim Hyseni

PSD e dërgon në Prokurorinë Speciale letrën e Maqedoncit për KFOR-in - VIDEO

Partia Socialdemokrate (PSD), më 27.01.2025, ka dërguar në Prokurorinë Speciale “letërsqarimin” e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, drejtuar Komandantit të KFOR-it – në lidhje me kompetencat për dërgimin e FSK-së në veri të vendit.

Zgjim Hyseni nga PSD-ja tha se kryeministri Albin Kurti në vitin 2020 e kishte quajtur si tradhëti dhe kundërkushtetues zotimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi në vitin 2013, që të mos dërgojë FSK-në në Veri – pa një miratim paraprak nga KFOR-i.

Sipas Hysenit, edhe letra e ministrit Maqedonci në këtë rast duhet të cilësohet si “shkelje”.

“Ne e kemi dorëzu sot në Prokurorinë Speciale nëse Marrëveshja e vitit 2013 qysh vetë Kurti e ka cilësuar ‘si shkelje të Kushtetutës’, për shkak se ka thënë se është Traktat Ndërkombëtar pa u votu në Kuvend. Nëse ajo ka qenë shkelje, atëherë riafirmimi i saj prej ministrit Maqedonci duhet me u cilësu po ashtu shkelje, me kriteret e vetë Kryeministrit.” – ka thënë Hyseni para gazetarëve.

“E kemi dërgu pra letrën (në Prokurori), letërkëmbimin në mes të ministrit Maqedonci edhe Komandantit të KFOR-it. Edhe kemi thënë ‘Shikoje, nëse këtu ka shkelje të Kushtetutes’. Nëse ekzistojnë ato shkelje, të cilat i ka pretendu Kryeministri vetë në vitin 2020.” – shtoi ai.

Ai ka akuzuar Kurtin për standarde të dyfishta për të njëjtën çështje.

“Vetëm prej nivelit ku vetës ia afirmon, vetës ia njeh një rol historik, një rol që ka me e realizu një domosdoshmëri historike. Vetëm prej asaj perspektive, ti masnej nuk zgjedh mjete, diçka që më herët për dikon ka qenë tradhëti. E vetë e bon, edhe është punë shumë e vogël. Kjo është arsyeja pse kryeministri Kurti nuk është thjesht vetëm një autoritar i zakonshëm, është shumë më keq e më i rrezikshëm se kaq.” – tha Hyseni.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e kishte mohuar se letra e dërguar te KFOR-i në nëntor të vitit 2024 përbënte “rizotim”, pasi që FSK kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore në Veri.

Sipas Maqedoncit, letra ishte vetëm një “sqarim”.

“Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një Njësie të FSK-së në njërën nga Komunat në veri të vendit, si dhe ta sigurojë atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në Veri të Kosovës ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013 – dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.” – thuhej ndër të tjera në reagimin e Maqedoncit.