PSD dorëzon peticionin me mbi 11 mijë nënshkrime për falje të gjobave të pandemisë

Sekretari i Partisë Social Demokrate (PSD), Nol Nushi, së bashku me aktivistë të PSD-së, dorëzuan peticionin e nënshkruar nga 11.286 qytetarë për të iniciuar projektligjin për faljen e gjobave të dhëna gjatë pandemisë COVID-19.

Në një njoftim të kësaj partie thuhet se, dënimi i mbi 200 mijë qytetarëve ka qenë i padrejtë në shumë rrafshe, si atë ekonomik, por edhe shëndetësor ku nuk u siguruan vaksina.

Sipas tyre, qytetarët nga kjo qeveri kanë marrë vetëm dënime.

“Dënimi i mbi 200,000.00 qytetarëve të Kosovës ka qenë i padrejtë në disa rrafshe. Fillimisht, asnjë ndihmë ekonomike nuk është iniciuar nga pushteti. Së dyti, nuk janë siguruar vaksina me kohë e tani vaksinimi i qytetarëve është në shifra të ulëta. Së treti, nuk kemi asnjë plan për rimëkëmbjen ekonomike që përfshinë rikthimin e vendeve të punës që janë humbur gjatë pandemisë. Papunë, me rrezik shëndetësor, të vetmen gjë që qytetarët morën nga kjo qeveri janë dënimet”, thuhet në njoftimin e PSD-së

PSD i ka bërë thirrje Kuvendit që të filloi sa më shpejt procedimin e peticionit në mënyrë që të shkoj projektligji për votim nga deputetët.

Po ashtu PSD kërkon nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës që të votojnë për të falur gjobat.