PSD dorëzon në Kuvend kërkesën për amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Partia Socialdemokrate (PSD), sot ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Një një deklarim para gazetarëve, kryetari PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se kërkesa iu është drejtuar të gjithë deputetëve, përveç atyre të Listës Serbe.

“Sot iu kemi drejtuar të gjithë deputetëve të parlamentit të Kosovës, me përjashtim të Listës Serbe, për t`u bërë pjesë e grupit që do të duhej të ndërtohej nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, për të filluar amandamentimin e ligjit për dhomat e specializuara”- tha Molliqaj.

“Ne konsiderojmë që janë dy nene shumë problematike që nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtarë për krime lufte dhe as me konventat ndërkombëtare për krime lufte”.

Molliqaj ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit, sipas tij, që të jenë në nivelin e detyrës dhe të shqyrtojnë këtë kërkesë.

“Të shtunën të gjithë do të jemi masivisht në sheshet e Prishtinës për të treguar që jemi kundër kësaj, andaj besoj që deputetët do të duhet t’i përgjigjen kësaj ftese dhe t’i nisin menjëherë ndryshimet”.

PSD-ja ka paralajmëruar një protestë për të shtunën me 24 dhjetor në Prishtinë, për të kundërshtuar, sipas tyre, Gjykatën Speciale. Kjo protestë e PSD-së u organizua tek pas shqiptimit të dënimit të parë të kësaj gjykate, ndaj ish komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili nga shkalla e parë e Gjykatës u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte.

PSD proteston më 24 dhjetor kundër Gjykatës Speciale