PSD aksion në oborr të qeverisë, ndajnë çmimin "Besnik Bislimi" për ekonomi

Partia Socialdemokrate sot ka mbajtur një aksion simbolik përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pas deklaratave të ministrit në detyrë të Financave Besnik Bislimi se aktualisht është ulur numri i papunësisë në Kosovë.

PSD-ja në këtë aksion prezantoi një çmim të veçantë për ekonomi me emrin e ministrit në detyrë,  Bislimit, për siç janë shprehur kontributin e tij në uljen e papunësisë në Kosovë gjatë kohë së pandemisë “për ta bërë vendin e vetëm në botë që arrinë këtë gjë”.

“Pas sukseseve të mëdha në xhudo e muzikë, pas Majlinda Kelmendit, Rita Orës e Dua Lipës, vendi ynë shënohet në listën që ka prodhuar zbuluesin epokal të ekonomisë, Besnik Bislimi. Prej sot, nobeli për ekonomi e ka ndërruar emrin. Tash quhet “çmimi Besnik Bislimi për ekonomi”. S’mund të mos i atribuohej ky nder njeriut që me një të rënë lapsi, si Demokleu me shpatë na e uli papunësinë në 6.6 %”, njofton kjo parti politike në Facebook.

PSD-ja ka thënë se qeveria në detyrë e ka humbur çdo marrëdhënie me realitetin.

“Aq e shprehur është kjo sa të mendosh që veç ‘popullit; të tyre në Facebook, askush tjetër nuk është këtu për ta parë marifetin e tyre. Regjistrimin e punëtorëve pa kontrata po e quajnë ulje të papunësisë. 9946 punëtorë të rinj qenkan lajmëruar nga bizneset për të përfituar 170 euro nga pakoja emergjente, rrjedhimisht kemi 6.6 % ulje të papunësisë.Në kohën e ndalimit të gjithë aktivitetit ekonomik, papunësia ulet me një zbritje. Kjo është punë e paçme. Për ministrin Bislimi njerëzit janë shifra, kurse kalimi nga njëra kategori në tjetrën, veç ndryshim formule”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Foto: PSD

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfere, Besnik Bilsimi është përfshirë në polimika pas deklaratës së tij se numri i të papunëve në Kosovë për një muaj shënon rënie 6.6 për qind dhe që përbën uljen më të madhe në dy dekadat e fundit.

Lidhur më këtë deklaratë të tij ka reaguar Visari Ymerit nga PSD i cili deklaroi se ministri po luan me numera në mënyrë manipulative dhe keqinformuese.

Gjithashtu, Bislimi i reagoi edhe Lulzim Pecit, drejtorit të KIPRED, pasi që ky i fundit deklaroi se ministri mund të marrë çmimin Nobel për ekonomi.

Bislimi deklaroi se nuk pretendon që papunësia në Kosovë është zvogëluar falë pandemisë.

Ai tha se Ymeri sikur të kishte pak mundësi ndikimi, gjithë ekonominë e vendit do e kalonte në informalitet, vetëm e vetëm për të mund të arsyetojë devijimin e tij gati trevjeçar politik.