PSD: 48 orë ndalim për Dardan Molliqajn

Partia Socialdemokrate ka thënë se kryetarit të saj, Dardan Molliqajt i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Molliqaj dhe aktivistë të PSD-së janë arrestuar, sot, gjatë aksionit për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

“Dardan Molliqaj në paraburgim me urdhër të policisë për 48 orë për aksionin e sotëm kundër zhvatjes që po bën qeveria. Kur ju doli afera e keqpërdorimit, tentuan të mbrohen duke gënjyer. Kur gënjeshtra u doli shpejt, dhunës i erdhi radha. Aktivistët u arrestuan brutalisht, për një aksion politik krejtësisht paqësor. Pas lirimit të aktivistëve, kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn vendosën ta mbajnë nën arrest”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e PSD-së në Facebook.

Ata në reagim e kanë quajtur qeverinë e udhëhequr nga Kurti si qeveri të monopoleve dhe përqendrimit të pasurisë.