Arbërie Nagavci
Provimin për Licensim të Avancuar e kaluan 7 mësimdhënës - Nagavci e quan sukses të jashtëzakonshëm
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur se është e lumtur që e kanë përmbyllur me sukses procesin e avancimit të performancës së mësimdhënësve.
Ashtu siç deklaroi ministrja Nagavci në Konferencën e fundvitit të datës 30.12.2024, provimit për licensim të avansuar të mësimdhënësve iu nënshtruan 54 mësimdhënës, prej tyre 7 kanë arritur pragun e kërkuar të kalueshmërisë.
Megjithatë për Nagavcin, ky është një sukses i jashtëzakonshëm.
“Për herë të parë javën e kaluar e përmbyllëm me sukses provimin për Licensën e avancuar, të cilit iu nënshtruan gjithsej 54 kandidatë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Qëllimi i Sistemit të Licensimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë i mësimdhënësve përmes vlerësimit të performancës së tyre.” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 03.01.2025.
Sipas Nagavcit, Sistemi i Licensimit të Mësimdhënësve ka qenë i planifikuar me legjislacion, por nuk është zbatuar asnjëherë në plotni.
Si rezultat i kësaj, Nagavci thotë se gjatë mandatit të tyre kanë ndërmarrë disa veprime për ta funksionalizuar këtë Sistem.
“Kemi rishikuar Aktet nënligjore për ta funksionalizuar Sistemin e Licensimit: UA [Udhëzimin Administrativ] për Sistemin e Licensimit, UA për Zhvillim Profesional, UA për Vlerësim të Performancës. Pas më shumë se 10 vjetëve mësimdhënësit në Kosovë mund të marrin licensë të re (përtëritje e Licensës së Karrierës) ose të avancohen (Licensa e Avancuar).” – ka thënë Nagavci.
Nagavci kishte thënë në Konferencën e datës 30.12.2024 se kanë aplikuar më shumë se 100 mësimdhënës, për t’iu nënshtruar provimit për Licensë të Avancuar në Mësimdhënie.
E për mënyrën e aplikimit, ajo ka thënë se e kanë zhvilluar në formën online përmes platformës e-Kosova dhe se koha për aplikim deri në marrje të Licensës është shkurtuar nga 2-3 muaj në 2-3 ditë, nga momenti kur mësimdhënësi aplikon.
“Kemi zhvilluar Udhëzues dhe Formularë përkatës për të ndihmuar Shkollat dhe Komunat në realizim të vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve. Udhëzuesit e procedurat janë prezantuar dhe sqaruar në më shumë se 20 takime/punëtori regjionale e komunale me më shumë se 1000 pjesëmarrës: drejtorë shkollash, pedagogë, koordinatorë të cilësisë, si dhe zyrtarë arsimi në Komuna.” – ka shtuar Nagavci.
Tutje, Nagavci mburret me këtë arritje duke përmendur se për herë të parë pas 12 vjetësh, Shkollat dhe Komunat zbatojnë vlerësimin e brendshëm të mësmdhënësve për përtëritjen e Licensës së Karrierës.
Mësimdhënësit të cilët e kanë kaluar provimin e Licensës së Avancuar për Mësimdhënie, pas një vlerësimi të fundit, do të përfitojnë nga Ministria e Arsimit vlerë monetare 1.2% të vlerës së koeficientit që kanë.
“Kemi zbatuar Sistemin e Vlerësimit të Performancës për Licensë të Avancuar, për herë të parë nga viti 2012, kur është paraparë me legjislacion; Kemi planifikuar buxhetin për shtesën e performancës për mësimdhënësit. Mësimdhënësit të cilët përfunduan me sukses provimin, pas edhe një vlerësimi nga Inspektorati i arsimit, do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerë monetare prej 1.2 të vlerës së koeficientit. Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim!” – ka theksuar Nagavci.
Nagavci kishte njoftuar se më 27.12.2024 ishte mbajtur provimi i Licensës së Avancuar për Mësimdhënie dhe se këtij provimi i janë nënshtruar mësimdhënës të mësimit klasor të Gjuhës shqipe dhe të Matematikës nga Shkollat e Mesme të Ulëta dhe Shkollat e Mesme të Larta.
Disa minuta para se të fillonte protesta e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), më 04.12.2024, ministrja Nagavci kishte njoftuar se është hapur aplikimi për mësimdhënësit të cilët janë të interesuar të pajisen me Licensën e Avancuar për Mësimdhënie.
“Janë gjithsej 7 mësimdhënës të cilët kanë arritur kalueshmërinë mbi 80%, që ishte pragu për të vazhduar tutje. Tashmë, pasi që të kenë edhe vlerësimin nga ana e Inspektoratit të Arsimit do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerën monetare prej 1.2% të koeficientit.” – ka deklaruar Nagavci, më 30.12.2024.