Testi i Maturës - Foto: KALLXO.com

Provimi i Maturës Shtetërore mbahet të shtunën më 26 qershor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se të shtunën (më 26 qershor) do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.

Sipas Ministrisë, në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë.

MAShTI ka thënë në njoftim se ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi.

Po ashtu Ministria njofton se bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

Brenda qendrave të testimit nuk lejohet asnjë person tjetër përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Testi do të fillojë në ora 10:00.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik.