Provat e PSRK-së ndaj të akuzuarit për spinuazh te BIA serbe- 'Incizonte faljen e xhumasë në një xhami të Prishtinës'

I arrestuari për spiunazh, Hysri Selimi, tashmë është akuzuar zyrtarisht nga Proukroria Speciale e Kosovës (PSRK), nën dyshimet se kishte grumbulluar dhe ofruar informacione BIA-s serbe, rreth radikalizmit fetar në Kosovë, për krerët e UÇK-së, numrin e personave që kanë marrë pjesë në ISIS dhe të kthyerve në Kosovë nga luftërat në Siri, për shuma të ndryshme të parave.

Këto informacione sipas Prokurorisë, Selimi i kishte bërë nën direktivën e agjentëve serbë, të cilët edhe e kishin rekrutuar që të punonte për ta, që ai ka thënë që e ka bërë si shkak i kushteve financiare.

Sipas aktakuzës Hysri Selimi nga muaji nëntor i viti 2009 e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025 ka qenë i rekrutuar nga BIA serbe për ta ndihmuar këtë shërbim sekret.

Sipas aktakuzës Selimi me punën e tij e ka ndihmuar BIA-n në mbledhjen e informacioneve dhe dërgimin e tyre te kjo strukturë në lidhje me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjeve gjatë luftës, personat e radikalizuar si dhe numrin e pjesëmarrësve në luftën në Siri.

Për këtë punë, sipas PSRK-së, ai ishte pajisur me tre telefona të mençur dhe me mjete financiare, madje i ishte premtuar blerja e një shtëpie.

Puna e Selimit sipas aktakuzës nuk kishte përfunduar vetëm me grumbullimin e informacioneve por kishte shkuar deri në Siri për të ju bashkuar organizatës terroriste ISIS me mision të BIA-s serbe.

Puna e Selimit për BIA-n, në ISIS, do të ishte të mbledhë statistikisht numrin e personave shqiptarë që ishin në këtë organizatë terroriste dhe ku operonin ata në Siri.

Veprimtarinë e spiunazhit, sipas PSRK, Selimi do ta vazhdonte edhe pas kthimit të tij dhe shqiptarëve të tjerë nga Siria, ku edhe ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

Sipa aktakuzës, pas kthimit nga Siria, takimet e tij do të vazhdonin me zyrtarë të drejtorisë së terrorizmit në kuadër të BIA-s, takime që do të mbaheshin në pjesë të ndryshme të territorit të Serbisë, për të dhënë informacione për personat e radikalizuar dhe përhapjen e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre dhe numrin dhe funksionimin e “mesxhideve” në Kosovë.

Krejt këtë punë Selimi do ta bënte sipas prokurorisë për një shumë të hollave mujore prej 700 euro.

Për të ardhë në konstatim se Selimi po takohej me agjentë të BIA-s serbe, PSRK kishte marrë konfirmime nga Agjencia Inteligjente e Kosovës (AKI) se personi me të cilin takohej Selimi është shef për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s.

Për ta mbështetur akuzën për spiunazh, PSRK ka paraqitur si provë edhe raportin informues për hyrje-daljet e Selimit nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Shkuarjen për në Serbi Selimi sipas prokurorisë e bënte me autobus i paraqitur si udhëtar por kthimi i tij në Kosovë do të bëhej herë në këmbë duke u futur ilegalisht në territor, herë me autobus, herë me vetura që i vozisnin persona të ndryshëm. Shkuarja në Serbi dhe kthimi në Kosovë bëhej brenda ditës.

PSRK tutje i ka bashkangjitur aktakuzës edhe një provë e cila ishte siguruar nga masat e fshehta ku shihej teksa takohej Selimi me zyrtarë të BIA-s. Selimi duke mos qenë në dijeni se po vëzhgohej në secilën minutë nga autoritetet kosovare do ta bënte rrugën e tij nga banesa ku banonte deri në pikën kufitare të dheut të bardhë.

Pasi ishte arrestuar dhe i ishin sekuestruar gjësende të ndryshme, ndër to ishin marrë edhe telefonat që i përdorte Selimi që ju kishin bërë ekzaminimet.

“A keni dëgjuar për këtë lajm”, “A është e mundshme të kem ndonjë problem”,” Pavarësisht unë udhëtoj si njeri i lirë”- janë disa prej citateve që i ka përshkruar PSRK në aktakuzë, prova që e dokumentojnë komunikimin e tij me zyrtarë të BIA-s serbe, “Jo bre çfarë lidhje ki ti, shihemi nesër rreth orës 8:30”- është përgjigja e marrë nga zyrtarët e BIA-s.

Kur i ishte ekzaminuar njëri prej telefonave që i shin sekuestruar, ishin nxjerrë fotografi nga më të ndryshmet siç ishin pamje gjatë sekuestrimit të armatimit në Banjskë, video ku dokumentohen personat që falin namazin e xhumasë në një nga xhamitë në Prishtinë, fotografi të personave që ka pretenduar se janë me pozita të larta në Gjykatën Speciale.

 

 

Tutje si provë kësaj aktakuze i është bashkangjitur edhe një komunikim i zhvilluar në mes të Selimit dhe personave nga BIA, që si detyrë ka sigurimin e informacioneve në lidhje me personat që frekuentojnë xhamitë, imamët, familjarët e tyre që kanë qenë në Siri.

Sipas aktakuzës, Selimi i kishte ofruar informacione zyrtarëve të BIA-s, emrat e personave që ishin arrestuar për rastin e vrasjes së rreshterit, Muhamed Lika.

Sipas prokurorisë, të gjitha këto dokumentime me prova janë pranuar nga i pandehuri gjatë interivistimit të tij në prokurori.

Në aktakuzë thuhet se Selimi kishte pranuar në tërësi pretendimet e prokurorisë lidhur me veprën penale të spiunazhit duke shtuar se këtë veprimtari e ka bërë për shkaqe financiare dhe nuk ka pas qëllim që të dëmtoj interesin e vendit.

Selimi në Prokurori kishte deklaruar se në vitin 2009 kur ka filluar të jap informacione për BIA-n serbe ishte paguar nga 100 euro për informacionet që i kishte siguruar nga burimet e hapura për krerët e UÇK-së.

Hysri Selimi, ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës, më 06.05.2025 nën dyshimet për spiunazh për BIA-n Serbe.