Foto: KALLXO.com
Provat e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarit Nagip Krasniqi
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Nagip Krasniqit përmban mbi 20 prova materiale përmes së cilave PSRK e ngarkon Krasniqin për veprën penale të keqpërdorimit zyrtar në cilësinë e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Njëra nga provat e Prokurorisë thotë se Bordi i ZRRE-së, i kishte shqiptuar dënim me gjobë Korporatës Energjetike të Kosovës “KEK”, SH.A., për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara për blerje të energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet në shumën prej 3,229,905.00 euro.
Sipas arsyetimit të vendimit në fjalë rezulton se ekspertët e ZRRE-s pas monitorimit të shitblerjeve të energjisë elektrike nga KEK-u, kishin përgatitur raportin e monitorimit të cilin Bordi i ZRRE-s i’a kishte prezantuar KEK-ut, e cila brenda afatit kishte kthyer përgjigjje.
Tutje në gjetjet e raportit të monitorimit të cilin Bordi i ZRRE-s pas vlerësimit kishte konstatuar se bazuar në legjislacionin vendor aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRRE, për subjektet juridike që janë të regjistruara në Kosovë, duke përfshirë mundësinë që sipas parimit të reciprocitetit këto aktivitete të lejohen edhe pa licencat e ZRRE-s për tregtarët të cilët kanë licenca në shtetet e tyre, e të cilat mund të njihen edhe në Kosovë vetëm pasi të plotësohen kushtet e përcaktuara në Rregullën për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullës për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.
Tutje në provat e prokurorisë thuhet se nga përgjigjja e Korporatës Energjetike të Kosovës – datë 27.12.2023, vërtetohet se KEK-u ka paguar gjobën e vendosur nga ZRRE në shumën prej 3,229,905.00 euro.
Në aktakuzë thuhet se, Interpretimi/opinioni ligjor i zyrës ligjore të KEK-ut i datës 07.10.2022, i cili ishte përgatitur nga Riza Dembogaj dhe Milot Podvorica ishte përcjellë nga Riza Dembogaj, përmes emailit te Anjeta Zeqiraj e cila kishte ushtruar detyrën e asistentes së të pandehurit Nagip Krasniqi, email në të cilin “CC” kishte qenë edhe vetë i pandehuri.
Tutje, në provat e Prokurorisë thuhet se vërtetohet se zyra ligjore i kishte dhënë të drejtë kërkesave të ZRRE-së dhe e kishte vënë në dijeni të pandehurin se duhej respektuar rekomandimi i rregullatorit.
Tutje, përmes kësaj prove Prokuroria pretendon se zyra ligjore i’a ka bërë me dije tashmë të akuzuarit se si KEK-u në të kaluarën kishte atakuar vendimet e ZRRE-së, për të cilat vendimet e ZRRE-së kishin mbetur në fuqi duke specifikuar faktin se fushëveprimi i ZRRE-së është përfundimtar në çështjet e energjisë elektrike.
Sipas dosjes së Prokurorisë, nga E-mail Kërkesa për konfirmim të vazhdimit të tregtimit të energjisë elektrike, vërtetohet se Luigj Imeri me mirëkuptim kërkonte nga i pandehuri edhe një herë konfirmimin nëse duhej tregtuar me këtë operator ekonomik apo jo.
Sipas Dosjes së Prokurorisë më pas i pandehuri Nagip Krasniqi i përgjigjet “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRRE-së, si rrjedhojë e të cilit konfirmim pastaj edhe vazhdon tregtimi i energjisë elektrike nga KEK-u me këtë operator deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në muajin maj 2023 përkatësisht gusht 2023.
Sipas aktakuzës lidhur me provat materiale nga regjistri publik i licencave publikuar nga ZRRE, vërtetohet se operatori ekonomik ‘HSE’ nuk posedonte licencë të lëshuar nga ZRRE për dallim nga tregtarët tjerë të listuar në regjistër.
Tutje nga konfirmimet e shitblerjeve të energjisë elektrike vërtetohet se të njëjtat ishin bërë përmes email-it dhe telefonit nga i pandehuri Nagip Krasniqi dhe Luigj Imeri dhe se shitblerja e energjisë elektrike me operatorin “HSE” ishte realizuar përkundër rekomandimit të ZRRE-së përgjatë periudhës 2021-2023 deri kur menaxhmenti i ri kishte vendosur të shkëpuste kontratën.
“Nga Kontratat Individuale “EFET” periudha 2021-2023 vërtetohet, se të njëjtat ishin nënshkruar nga i pandehuri Nagip Krasniqi dhe Luigj Imeri dhe se shitblerja e energjisë elektrike me operatorin “HSE” ishte realizuar përkundër rekomandimit të ZRRE-së përgjatë periudhës 2021-2023 deri kur menaxhmenti i ri kishte vendosur të shkëpuste kontratën”– thuhet në aktakuzë.
“Nga Raporti Policor “mbi veprimet e marra lidhur me ekzaminimin e pajisjeve elektronike”, datë 01.07.2024, vërtetohet se i pandehuri kishte komunikuar në rrjetin social “What’s App”, me shkrim dhe me zë si dhe përmes emailit me zyrtarin e kompanisë “HSE” – Urosh Prislan, ku të njëjtit kishin diskutuar disa herë me njëri tjetrin për çështje të tregtimit të qymyrit dhe se e kishin caktuar edhe një takim në Prishtinë” – thuhet tutje në aktakuzë.
Tutje, prokurori special i këtij rasti ka kërkuar që të pandehurit Nagip Krasniqi të i shqiptohet dënim plotësues – ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”.
Dosja e Prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit – Pretendimet se si u dëmtua KEK-u rreth 3 milionë euro