Protestuesit, tubim në Nju Jork për viktimat e përdhunimeve të luftës në Ballkan

Shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Shtetet e Bashkuara u mblodhën para konsullatës serbe në qytetin e Nju Jorkut për të kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të dhunës seksuale gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990.

 

Disa dhjetëra njerëz u bashkuan në protestën e titulluar “Tubimi për drejtësinë e saj”, i organizuar nga Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane me mbështetje nga grupet boshnjake dhe kroate të Shteteve të Bashkuara,  të martën pranë konsullatës serbe në Nju Jork.

Organizatorët thanë se po u bënin thirrje autoriteteve serbe “të ndëshkojnë dhe ndjekin penalisht kriminelët e luftës që ende mund të jetojnë në vendin e tyre”.

Protestuesit mbanin flamuj shqiptarë, boshnjakë, të Kosovës dhe amerikanë, si edhe pankarta me slogane si “Krimet serbe të luftës në Kosovë të pandëshkuara”, “Përdhunimi është një krim lufte” dhe “Një zë për ata që s’kanë zë”.

Kishte gjithashtu pankarta që i referoheshin Rezolutës 1820 të Kombeve të Bashkuara, e cila thotë se përdhunimi i përdorur si armë gjatë kohës së luftës është një krim lufte, dhe Rezolutës 2467, që i bën shtetet përgjegjës për çdo krim lufte të kryer në territoret e tyre.

Ndër folësit në këtë tubim ishin Mark Gjonaj, një anëtar shqiptaro-amerikan i këshillit të qytetit të Nju Jorkut dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, një e mbijetuar e përdhunimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Krasniqi-Goodman dëshmoi në maj në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së se Uashingtoni duhet të bëjë më shumë për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimet e luftës.

Organizatorët e tubimit thanë se viktimat e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin “janë pa dyshim më të margjinalizuarit gjatë dhe pas konfliktit, duke përjetuar një stigmë afatgjatë dhe të vazhdueshme dhe duke duruar dëmet fizike dhe mendore të shkaktuara nga kjo”.

“Deri më sot, vetëm disa nga personat që kanë kryer këtë lloj krimi lufte janë ndjekur penalisht apo janë nxjerrë para drejtësisë”, shtuan ata.