Protestuesit tentojnë të hyjnë në Kuvend, Klinaku i lut të qetësohen
Disa protestues kanë tentuar të hyjnë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës gjatë protestës së veteranëve të UÇK-së, e cila po vazhdon që nga mëngjesi.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, i ka lutur të qetësohen.
Në disa video shihen veteranët protestues që tentojnë të thyejnë kordonin e Policisë duke u shtyrë.
Disa veteranë, gjatë kohës sa tentojnë të hyjnë brenda, dëgjohen duke kënduar këngë kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Veteranët e luftës së UÇK-së po vazhdojnë të protestojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Protesta ka filluar sot rreth orës 09:30 në mëngjes.
Ndërsa brenda, në sallën e Kuvendit, pritet që kryesia të dakordohet për vazhdimin e punimeve të seancës së sotme e cila për shkak të protestës së veteranëve të UÇK-së u ndërpre disa herë me kërkesë të partive opozitare.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka pranuar ftesën zyrtare për tu takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kjo ftesë Klinakut i shkoi në oborrin e Kuvendit ku po protestojnë, nga asistentja e kryeministrit Kurti.
Sipas Klinakut, takimi do të mbahet nesër në orën 09:00 dhe pjesë e tij do të jenë edhe ministri i financave Hekuran Murati dhe kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar nga salla e Kuvendit të Kosovës se do të anulojë pjesëmarrjen në forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e financave, Hekuran Muratin dhe kryesuesin e Komisionit për Buxhet, Armend Muja, do t’i takojnë me udhëheqësit e OVL-UÇK-së.
Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.
OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.