
Protestuesit për tërheqjen e Trustit i bashkohen protestës së veteranëve
Protestuesit të cilët po kërkojnë lejmin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, i janë bashkuar protestës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bashkë me protestuesit e Trust-it është parë edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Ky i fundit ka inicuar edhe iniciativën për tërheqjen e 30% të Trustit.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK, Faton Klinaku, ka ftuar protestuesit për Trustin që t’i bashkëngjiten protestës së veteranëve.
“Ne si OVL-UÇK, gjithë ne këtu natyrisht që përkrahim edhe kërkesën për tërhiqjen e Trust-it, por edhe protuestuësit e Trust-it mund të na bashkohen edhe me protestën tonë”, ka deklaruar Klinaku.
Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.
Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.
Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjesëtarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.
Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.