Protestuesit paralajmërojnë eskalim të situatës

 

Për të pestën ditë me radhë dhjetëra qytetarë kanë vazhduar të protestojnë edhe sot nga ora 06:30 para hyrjes së minierës ‘Trepça’ në Stantërg

Këto protesta po bëhen në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në ndërmarrjen ‘Trepça’.

Protestuesit kanë paralajmëruar veprime radikale dhe eskalim të situatës nga java e ardhme, në rast se institucionet përkatëse nuk meren më seriozisht me kërkesat e tyre.

Arsim Musa, nga Këshilli organizativ protestues, ka apeluar tek qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si dhe ndërmarrja ‘Trepça’, t’i marrin parasysh kërkesat e tyre më seriozisht, në të kundërtën paralajmëroi protesta të dhunshme dhe eskalim të situatës.

“Ne si këshill organizativ ju bëjmë apel qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ndërmarrjes Trepça, që kërkesat tona të merren parasysh më seriozisht. Përndryshe, nga e marta, nëse nuk meren masa të duhura ndaj kësaj padrejtësie që na është bërë, protestat kanë me eskalu, munden me qenë edhe të dhunshme”, tha Musa.

Protestuesit  janë duke kërkuar dorëheqjen e menaxhmentit, shkarkimin e bordit, si dhe anulimim e konkursit.

Ndërsa protesta deri më sot po zhvillohet e qetë dhe pa ndonjë incidente, kurse janë parë numër i shtuar i pjesëtarëve të policisë dhe njësiti për intervenim të shpejtë, të cilët po e vëzhgojnë situatën nga afër.