Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Protestuesit kërkojnë të ndalohet puna e Feronikelit
“Në Drenas bartja e maskës është e domosdoshme edhe pa qenë pandemi”, “Më ka marr malli me dal në oborr”, “Nuk kemi vendbanim tjetër”, ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankarta, që qytetarët e Drenasit mbanin në duar tek kanë protestuar sot para Ministrisë së Mjedisit në Prishtinë. Arsye e kësaj proteste, është ndotja e nivelit të lartë të ambienitit në këtë komunë, kryesisht, sipas tyre, e shkaktuar nga kompania Ferronikeli.
Organizatori i protestës, Xhavit Drenori po pretendon se mbetja e metalit, apo skorja, që është e vendosur në fshatin Çikatovë e Vjetër, po ndot ujin e pijes në puset e banorëve të tri fshatrave përreth.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Mjedisit, duhet të veprojnë urgjentisht, pasi janë vetë këta të fundit që ia kanë dhënë lejen mjedisore kësaj kompanie. Ai mes tjerash ka bërë thirrje ministrit aktual të mjedisit që urgjentisht të ngrit një komision, porse të ndalojë paraprakisht punën e operatorit.
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com“Ministria është e obliguar që të monitorojë mjedisin, ligjit që janë të aplikueshme në Kosovë kanë bërë që operatorët e ndryshëm që prodhojnë sikurse Feronikeli, të pajisjet me leje mjedisore të integruar dhe këtë leje e ka marr në vitin 2018, dhe prej 2018-es deri më sot kjo leje nuk po respektohet. Ka pasur protesta dhe ankesa të vazhdueshme nga banorët para deponisë, Ministria nuk e kam marrë seriozisht, e sot jemi në një gjendje kur uji, toka e ajri po u ndotet në mënyrë të pakontrollueshme banorëve të tri fshatrave përreth deponisë që ndodhet në Çikatovë të Re”, tha Drenori.
“Problemi më i madh është së skorja që e kam sjellë me vete, ky është i rrezikshëm, jetëgjatësia e tij është mbi 100 vite sipas eksperteve, dhe ky produkt po hidhet në burim të ujit. Hedhja e tij do të thotë helmim, kontaminim i ujit dhe ai ujë ka me shku deri në puse e banorëve të tri fshatrave”, u shpreh tutje ai.
Drenori tha se kriteret në bazën e të cilave është dhënë leja nga Ministria e Mjedisit, nuk po zbatohet.
“Ministria ka lëshuar një leje dhe në atë leje mjedisore në mënyrë eksplicite shkruhet se duhet të izolohet kjo skore gjatë deponimit dhe nuk guxon të vihet në kontakt me ujin. Problemi qëndron edhe se kjo deponi, përveç problemeve ligjore kur është lëshuar leja, është edhe se është mbi nivelin e tri fshatrave përreth. Pra ne si banorë të komunës së Drenasit, jo vetëm që jemi të dëmtuar nga regjimi i vjetër që e kanë sjellë fabrikën midis banorëve, tash qeveritë tona i lëshojnë leje që të deponojë skore që është e rrezikshme ndërmjet tri fshatrave, sipas mendimit tonë, këtu ka gisht politika sepse shumë kontrata të mëdha në Feronikel kanë marrë politikanë të ndryshëm. Ne po kërkojmë që kjo kompani të veprojë sipas ligjeve”, tha ai.
Drenori shtoi se ka mbi një muaj që i janë drejtuar Ministrisë së Mjedisit me një kërkesë, por që shton se ende nuk kanë marrë përgjigje.
Protestuesi deklaroi se në rast që ministria nuk ndërmerr diçka, kanë vetëm dy zgjidhje – t’iu dalin para mjeteve transportuese që barin skoren ose të lëshojnë vendin.
Xhavit Drenori, në kohën kur ka qenë asamblist në Komunën e Drenasit në vitin 2015, kishte bërë një kallëzim penal ndaj Ministrisë së Mjedisit për moszbatim të Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes dhe Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.
Për çështjen e skores, KALLXO.com kishte shkruar mes tjerash në hulumtimin për komunën e Drenasit të publikuar në muajin korrik 2020.
KALLXO.com ka dërguar disa herë pyetje asokohe për këtë çështje në drejtim të kësaj kompanie por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigjet. Gjithashtu KALLXO.com në muajin mars 2020 ka kërkuar qasje ne lejen mjedisore por nga Ministria e Mjedisit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.