Protestuesit në Senatin meksikan. Foto: AP
Protestuesit futen dhunshëm në parlamentin e Meksikës
Qindra protestues kanë hyrë dhunshëm në ndërtesën e Senatit të Meksikës të martën (11.09.2024) derisa deputetët po diskutonin planin që do të prekte me themel sistemin e drejtësisë së vendit, duke i detyruar senatorët të tërhiqeshin për shkaqe sigurie.
Aksioni ndodhi vetëm pak orë pasi partia në pushtet e Meksikës, Morena, ia doli të siguronte votat për ta mbështetur planin qeveritar për ndryshime, duke marrë edhe përkrahjen e një deputeti opozitar që ndryshoi mendje, raporton AP.
Kjo lëvizje dhe manovrat e tjera politike parlamentare para votimit të planit të presidentit në largim të Meksikës, Andres Lopez Obrador, i dhanë zjarr zemërimit të akumuluar për javë të tëra me protesta të punëtorëve të sistemit të drejtësisë dhe të studentëve të drejtësisë.
Kritikët kanë thënë se plani, sipas të cilit të gjithë gjyqtarët do të zgjidheshin, do të kërcënonte pavarësinë juridike dhe do të cenonte sistemin e baraspeshën së pushteteve.
Disa protestues kanë hyrë në dhomat e Senatit në përpjekje për të bllokuar votimin pasi thanë se deputetët nuk po dëgjonin kërkesat e tyre. Protestuesin kanë thyer derën e dhomës së Senatit në mënyrë agresive, duke përdorur tuba dhe zinxhirë. Së paku një person ka humbur vetëdijen.
Protestuesve u janë bashkuar edhe disa deputetë opozitarë që mendojnë se ndryshimet rrezikojnë pavarësinë e drejtësisë dhe do të rezultojnë me përzierje të politikës në drejtësi.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com