Gjykata e Gjakoves

Proteston avokati, nuk paraqitet në gjykatë ku i akuzuari u dënua me 27 vite burgim

Gjatë ditës së sotme në Gjykatën e Gjakovës, Col Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë – Republika e Shqipërisë, i akuzuar për veprat penale vrasje e rëndë, vrasje në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor, u dënua me dënim unik prej 27 viteve, nga gjykatësi Drilon Haraçia.

Në sallë të gjykatës së Gjakovës prezent nuk ishte mbrojtësi i Col Imerajt, avokati Meshari Selimaj, me arsyetimin e mospjesmarrja wshtw shenjë proteste, duke paralajmëruar ankesë në gjykatën e Apelit.

“Mospjesmarrja ime është shenjë proteste”, ka thënë Selimaj.

“Nuk mund të marr pjesë në shpalljen e një aktgjykimi nga një gjykatë e cila ka shkelur rëndë parimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm për të akuzuarin. Gjykata nuk është dashur të bëjë pranimin e fajësisë për veprën e vrasjes së rëndë dhe vrasjes në tentativë, në rrethanat e një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të merr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike. Pas pranimit të aktgjykimi në afatin ligjor do të parashtroj ankesë në gjykatën e Apelit, ashtu që presim nga e njëjta që sipas detyrës zyrtare ta anulojë çështjen duke e kthyer në rigjykim mbi bazën e shkeljeve të cilat e karakterizojnë këtë rast, duke na e dhënë mundësinë që në shqyrtim gjyqësor të paraqesim argumentet tona”, ka deklaruar Meshari Selimaj për KALLXO.com.

Ndonëse, kodi i procedurës penale neni 366 paragrafi 3, parasheh shpalljen e aktgjykimit nga gjykata edhe kur avokatët apo palët tjera nuk janë të pranishme, pasi që aktgjykimi iu dërgohet edhe me shkrim.

Në këtë rast, ishte kërkuar përjashtimi i gjykatës.

Imeraj, kishte pranuar fajësinë.

Aktakuza ndaj tij u ngrit më 31 mars 2021.

Pretendohet se këto veprime, Imeraj i ka kryer ndaj kushërirës së tij, burrit dhe djalit të tij.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta Ndue Mulaj, në shtëpinë e tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se përderisa i ndjeri Ndue Mulaj 60 vjeçar ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Në akuzë thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Diturie Mulaj, e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Aktakuza thotë se përveç kësaj, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës Mark Mulaj, duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Ky i fundit kishte qenë në dhomë me të vëllanë e tij të mitur D.M.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Col Imeraj kishte pretenduar se Ndue Mulaj i kishte dhënë ekstazi (drogë), në një gotë me ujë dhe se të njëjtën e kishte detyruar që ta pijë.

Ai kishte mohuar se kishte ndonjë konflikt më familjen Mulaj, por i njëjti pasi që Diturie Mulajn e kishte vajzë të dajës së babait të tij, ai kishte qëndruar 2-3 ditë tek shtëpia e saj në mënyrë që të kontrollohej tek mjeku i veshkave.

Gjatë deklaratës së tij të dhënë në Prokurori, ai kishte thënë që gjatë ditës i kishte ndihmuar Ndue Mulaj në bartjen e sonës (barit të kafshëve).

Imeraj kishte thënë që pas pirjes së gotës më ujë e kishte humbur kontrollin, e pas asaj i njëjti kishte thënë që kishte pirë lëng hashashi, duke mos e ditur se i kujt ka qenë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.