Protestojnë punëtorët e ‘Prishtina Parking’

Shoqata Sindikale e Punëtoreve të ‘Prishtina Parking’ kanë protestuar të martën më 30.07.2024 para hyrjes së ndërmarrjes me kërkesë për ngritje page dhe pagesën e shujtës ditore.

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtoreve të kësaj ndërmarrje, Valon Sojeva tha që kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro dhe shujtat ditore të paguhen nga 5 euro.

“Është rritur orari nga 6 në 8 orë në terren pa ujë pa bukë, dhe rritje të pagave ka pasur zero” – tha Sojeva.

Përveç punës së tyre si kontrollerë, sipas nënkryetarit, ata po vazhdojnë të kryejnë edhe punë të tjera të cilat nuk janë në kontratat e tyre të punës.

Ai thotë se ata kryejnë edhe punën e bllokimit të makinave që vërtetohen që janë të papaguara, të arkatarit dhe në shumicën e kohës luajnë edhe “rolin e policisë”.

Kompania “Prishtina Parking’ ka siguaruar vetura me katër ulëse që është kërkuar nga punëtoret, por që të njëjtit nuk kanë asistencë të Policisë së Kosovës dhe sipas Sovejës ata po vazhdojnë të luajnë edhe rolin e policëve.

Sojeva tha se ‘Prishtina Parking’ ka pasur një kontratë me një kompani private për bllokimin e makinave të papaguara mirëpo që ajo kontratë është ndërprerë dhe përgjëgjësia e asaj pune u ka kaluar atyre.

“Prishtina Parking ka pasur një nënkontraktor, një kompani private për bllokimin e makinave të papaguara. Sipas informacioneve që i kemi ajo kompani ka pasur diku kontraten 350 mijë euro dhe është ndërprerë. Përgjegjësia e asaj kompanie ka kaluar në duart tona me një formë që unë mendoj që ka qënë jo e drejtë me një aneks kontratë, me disa kërcënime që në qoftë se nuk e nënshkruani do të përjashtoheni nga puna”– shtoi ai.

Në lidhje me këtë, nëse kërkesat nuk plotësohen, Sojeva thotë se Shoqata Sindikale e punëtorëve të Prishtina Parking do të vazhdojnë protestata deri sa kërkesat e tyre të plotësohen.