Protestojnë para Ministrisë infermierët që punuan e nuk u paguan gjatë pandemisë
Me parullat “ Rrezikova familjen time për të shpëtuar familjen tënde dhe ja si u shpërbleva”, “Ju të gjithë krenoheni me menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja e saj”, “Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishte në ora 17:00.”, para Ministrisë së Shëndetësisë po protestojnë infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar gjatë pandemisë. Arsyeja e protestës është se nuk janë paguar që tre muaj.
Përfaqësuesja e infermierëve, Nurie Uka tha se do të qëndrojnë deri në orën 10:00 për të pritur përgjigje dhe nëse nuk e marrin atë atëherë Uka bëri të ditur se do të vazhdojnë sërish me protestë.
“Qëllimi i protestës është për mos ekzekutimin e pagave dhe asnjëherë pa një përgjigje zyrtare. Përveç dje kemi zhvillu një takim më Kujtim Salihun dhe krejt çka na ka thënë është që ka optimizëm. 1.304 jemi momentalisht, ka mjek, ndihmës mjek, infermierë, etj.”, tha ndër tjerash Uka.
Që nga shtatori i vitit të kaluar mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë janë angazhuar ne menaxhim të pandemisë nëpër klinika dhe spital të përgjithshëm si dhe proces të vaksinimit./21Media