Protestojnë kuksianët, kërkojnë heqjen e masës për hyrje në Kosovë me tri dozat e vaksinës

Qytetarët e Kukësit sot janë duke protestuar në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Morinë.

Ata po kërkojnë heqjen e masës për hyrje në Kosovë me tri dozat e vaksinës kundër Covid-19.

Shkupi zyrtar dje ka reaguar ndaj masave të reja anticovid të Kosovës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që të rishqyrtojë këto masa.

Ndërsa sot, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi i ka shkruar kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, për vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth masave shtrënguese për hyrje daljet në Kosovë.

Në letrën e dërguar sot Kurtit, ai ka shkruar se obligimi për vaksinë me dozën e tretë, apo edhe ata që janë vaksinuar me dozën e dytë dhe testi PCR po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve

Sipas masave të reja të Qeverisë, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 22 janari, çdo person, i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë: Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19; Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)./21Media/