Protestojnë kandidatët që nuk u pranuan në Fakultetin e Mjekësisë

Një grup i maturantëve të cilët kanë aplikuar të regjistrohen në Fakultetin e Mjekësisë, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme, tash e disa ditë kanë protestuar para këtij fakulteti.

Ata po ashtu kanë nisur edhe një peticion në drejtim të dekanatit, duke kërkuar që të rritet numri i pranimit të studentëve në këtë degë, sipas vendimit të vitit të kaluar nga ana e Senatit të UP-së.

Jona Halimi, përfaqësuese e këtyre aplikantëve thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër pasi që vetëm UP e ka këtë degë të Fakultetit të Mjekësisë.

“Ne kemi bërë kërkesë që vendimi i vitit të kaluar të senatit  për rritje n e numrit të studentëve me u bë edhe këtë vit për arsye se ne e kemi kaluar pragun, i kemi plotësuar kriteret, dhe kemi pasur sukses shembullor. Edhe për shkak se e kanë mbajtë vonë provimin pranues nuk kemi mujt me apliku në universitetet rajonale dhe pika e tretë që duhet me marrë parasysh është sepse UP është i vetmi universitet në vend që e ka të akredituar degën e Mjekësisë së Përgjithshme”, thotë ajo.

Halimi shton se dekanja e këtij fakulteti, Suzana Manxhuka Kërliu nuk ka pranuar që të takohet me ta.

“Deri tash dekanja nuk na ka pranu në zyre as mu taku me të. Nuk na ka dalë përpara”, theksoi ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar Dekanen Suzana Manxhuka- Kërliu dhe është duke pritur përgjigje.

Në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshmë këtë vit janë paraparë të pranohen 150 studentë, numër ky i miratuar nga ana e bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Vitin e kaluar, Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kishin vendosur që ta rrisin numrin e pranimit të studentëve në programin Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri.

Ministri rrit numrin e studentëve të Mjekësisë në UP, KShC e quan intervenim politik

Por, Këshilli Shtetëror i Cilësisë kishte vendosur që të mos rritet ky numër.

KShC vendos që të mos rritet numri i studentëve të Mjekësisë