Protestojnë bizneset që merren me shitjen e duhanit, kërkojnë trajtim të dinjitetshëm
Dhjetëra biznese që merren me shitjen e cigareve në Kosovë, kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për siç thonë trajtimin e kësaj kategorie që është duke u bërë nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës.
Lulzim Kastrati, përfaqësues biznesi nga Peja kërkoi që të mos ketë rritje të tatimit për të gjitha bizneset e kësaj veprimtarie.
“Nëse këta duan mos me na i dëmtuar bizneset, mirë kish qenë me i marrë për bazë kërkesat tona dhe të punojmë ashtu siç duhet me punu dhe jo qysh po ua merr mendja këtyre, me i marrë çmimet si në markete, se na punojmë vetëm me cigare dhe nuk punojmë me sende tjera” – shtoi Kastrati.
Kastrati theksoi se ata po i deklarojnë të gjitha shitjet dhe se “po lëshojnë kuponë fiskalë.”
“Mënyra e vlerës së hapur të tregut duke i rritur çmimet nga ana e ATK-së është e padrejtë, nëse ajo do që të marrë vlerë të hapur të tregut, atëherë le t’i marrë çmimet e të gjitha bizneseve në tërë territorin e Kosovës dhe të nxjerrë një mesatare dhe jo vetëm të nxjerrë çmimet e vetëm tri bizneseve që kanë çmime më të larta dhe të na ngarkojë me tatim të gjithëve njëjtë” – theksoi ai.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar sërish protesta nëse nuk u përmbushen kërkesat.
Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në ATK dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.