Protesta në Shtërpcë FOTO: AVONET

Protestojnë banorët e Shtërpcës, kërkojnë rregullimin e rrugës Doganaj – Brezovicë

Sot banorët e fshatrave të komunës së Shtërpcës kanë mbajtur një protestë në shenjë shqetësimi për gjendjen e rëndë të rrugës në magjistralen Doganaj (Kaçanik) – Brezovicë.

Banorët kanë bllokuar për 15 minuta rrugën duke paralajmëruar se do të marrin edhe veprime tjera.

Kjo protestë është përkrahur dhe mbështetur edhe nga Rrjeti i OJQ-ve AVONET, të cilët përmes një komunikatë për media kanë theksuar se gjendja e kësaj rruge po ua vështirëson jetën banorëve.

“AVONET, shpreh shqetësimin për mos rregullimin e rrugës të magjistrales Doganaj – Brezovicë, e cila është në një gjendje të keqe, ku qytetarëve ju ka shkaktuar dëme në automjete dhe pengim në lëvizje, duke vështirësuar edhe jetën e këtyre banorëve të Komunës së Shtërpcës”, thuhet në komunikatë.

Tutje ‘AVONET’ ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që sa më parë të veprojë dhe të rregullojë rrugën Doganaj – Brezovicë.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë regjistrimit të automjeteve të tyre paguajnë taksen rrugore, për të pasur qasje dhe lëvizje të lirë dhe të sigurt. Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për gjendjen e kësaj rruge e cila është bartëse e implementimit dhe ky institucion nuk ka shpreh vullnet për të bërë zgjidhje të problemit”, thuhet aty.