Protestojë specializantët që janë me vetëfinancim, kërkojnë paga të rregullta

“Mos na diskriminoni, mos na injoroni”, “Tek prisnim të piqeshin kushtet na u kalbën dëshirat”, “Ende paguajmë biletë studentore”, “Stop Diskriminimit”, “Duam takim me ministrin”, janë vetëm disa nga pankartat e vendosura në hyrje të Ministrisë së Shëndetësisë nga mjekët specializantë.
Specializantët me vetëfinancim protestuan sot para Ministrisë së Shëndetësisë për siç thonë ata, neglizhencën e ministrit Arben Vitia, mos marrjen e pagave të rregullta, vonesat e pagesave nga subvencioni si dhe mospagesën e kujdestarive.

Urim Halimi njëri nga përfaqësuesit e specializantëve para mediave tha se kanë kërkuar takim me ministrin Vitia por ky i fundit nuk ka ndarë kohë për ta, duke konsideruar se me këtë akt Vitia ka shkelur afatin ligjor prej 30 ditësh për kërkesat e bëra.

“Ne si mjek të përgjithshëm dhe stomatolog, kemi aplikuar në këto specializime, ju kemi nënshkruar kritereve, kemi nënshtruar kontratën për vazhdimin e shkollimit specialistik, përkundër vonesave kemi gjetur kurajo dhe kemi vendosur të vazhdojmë specializimin në vendin tonë, përkundër kushteve jo të mira e hapësirave jo të mjaftueshme, kemi vendosur që këtë kontribut t’ia dhurojmë vendit tonë dhe jo vendeve tjera”, thotë Halimi.

Ai potencon se sipas Odës së Mjekësve të Kosovës gjatë vitit 2019 nga Kosova kanë ikur 115 mjekë.

Halimi kërkon që të jenë të barabartë me kolegët e tjerë, pasi sipas tij puna dhe mundi që bëjnë është i njëjtë. Sipas tij subvencionet i kanë disa të meta pasi nuk i marrin me rregullt ashtu siç merren pagat e rregullta dhe nuk marrin pagë shtesë për orët e kujdestarisë, që sipas udhëheqësit të protestës një gjë e tillë është diskriminuese.

“Subvencionet diskriminojnë koleget të cilët janë nga Lugina e Preshevës e nga Maqedonia, sepse statusi i tyre nuk është i rregulluar, pra ata punojnë këtu shkollohen për specializim dhe nuk paguhen për mundin e tyre. Po ashtu edhe grave shtatzëna u shkelen të drejtat në baza gjinore, pasi ato nuk mund të dalin në punë dhe si pasoje nuk paguhen për aq kohë sa nuk paraqiten në specializim”, theksoi ai.

Në rast se kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh nga Ministria, protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdohen protestat deri sa kërkesat e tyre të merren parasysh.

Në fund të protestës në shenjë pakënaqësie disa nga specializantët zhveshën mantelet e bardha dhe i vendosin në hyrje të ministrisë.