Protestohet sërish në mbrojtje të lumit Lepenc nga hidrocentralet

Me pankartat “Uji është jetë”, “Mos na i thani tokat e bukës”, ” Uji është thesari i Kosovës”,  banorët e fshatit Biti e Poshtme sot kanë protestuar kundër ndërtimit të mini hidrocentralit në këtë fshat.

Protesta ka qenë e qetë përkundër protestës së herës e kaluar, ku Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka hedhur sprej ndaj protestuesve.

Banorët janë shprehur këmbëngulës se nuk do të lejojnë ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe të asnjë tjetri, të cilët janë planifikuar të ndërtohen në këtë zonë.

Sipas banorëve nëse ky lumë futet në gypa, do të shkatërrohet toka bujqësore prej 100 hektarësh me drithëra dhe mjedra, me të cilën sigurojnë ushqimin.

Në protestë përveç banorëve ka pasur përfaqësues edhe të shoqërisë civile dhe zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

KALLXO.com ka raportuar të marten se banorët e fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës kanë protestuar pasi që punimet për futjen e lumit Lepenc në gypa kanë filluar.

Njësia Speciale u ka hedhur sprej qytetarëve, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë. Gjithashtu janë arrestuar 3 persona.

Shtërpcë, 17 protestues kundër hidrocentralit kërkuan ndihmë mjekësore nga spreji i Policisë

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.