Protestohet për rastin e sulmit seksual ndaj pacientes në Vushtrri
Aktiviste nga Organizata feministe Fourth Wave në Mitrovicë kanë reagur për mjekun e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri i cili është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një paciente, më 04.08.2024 rreth orës 18:45.
Pakënaqësinë e tyre e kanë shpërfaqur përmes një proteste para QKMF-së në Vushtrri dje më 08.08.2024.
“Meqë lajmet për dhunën shumëdimensionale ndaj grave janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, dhe këto ditë jemi përballur me plagosje e dhunë deri në vdekje, ne nuk mund të rrinim duarkryq ndaj një akti të tillë. Ky aksion është revoltë kundër një kulture të mospërfilljes për sigurinë e grave në hapësirat publike në mbarë Kosovën”- thuhet në njoftim.
Duke potencuar se spitali është institucioni ku kërkohet ndihmë mjekësore, thonë se kjo është tregues i qartë që gratë në Kosovë nuk kanë vend të sigurtë.
“Kur një spital – një institucion ku individët shkojnë për të kërkuar ndihmë mjekësore – bëhet vend i shkeljes së integritetit seksual, atëherë kjo së pari tregon për shkeljet etike të profesionistëve shëndetësor dhe është tregues i qartë që për gratë në Kosovë asnjë vend nuk është i sigurt. Pra, vendet ku besohet se duhet të respektohet dinjiteti i njeriut, janë vatra të abuzimit”.
Fourth Wave kërkon nga instuticionet përkatëse t’i mexhaxojnë hapësirat publike dhe trajtimin e grave brenda tyre.
“Ky rast është simptomë e kalbjes sistemike. Nga Policia, Gjykatat, Shkollat, Spitalet, e hapësirat e punës janë duke na treguar se gratë e vajzat nuk mund t’i marrin shërbimet e garantuara pasi mund të përballen me kërcënim të mirëqenies së tyre dhe se nuk mund ta kenë sigurinë e respektin që e meritojnë”- përfunduan ata.
I arrestuari për sulm seksual në Vushtrri është mjek, u denoncua nga pacientja