Protestohet para Qeverisë për mosalokim të pagave për mësuesit në Viti, SBAShK paralajmëron grevë | Foto: Kallxo.com/04.10.2024
Protestohet para Qeverisë për mosalokim të pagave për mësuesit në Viti, SBAShK paralajmëron grevë
Kryetarët e Shoqatave Sindikale të Institucioneve Arsimore të Komunës së Vitisë dhe kryesia e SBASHK-ut protestuan para Qeverisë pasi punëtorët e arsimit nga komuna e Vitisë nuk i kanë marr pagat për muajin shtator.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj deklaroi para mediave se nëse Qeveria nuk proceson me paga, mund të ketë grevë në shkolla të Vitisë, por edhe në komuna tjera.
“Mësimdhënësit janë shumë të revoltuar dhe java e ardhshme mund ta gjejë Vitinë në grevë. Unë kam frikë se nëse ndodh greva në Viti, atëherë veprime sinidkale do ketë edhe në komuna tjera e si do jenë ato, vendos secila komunë”- tha ai.
Jasharaj tha se kanë lutur mësimdhënësit që të mos shkojnë njëherë me hapa radikal.
“Falë besimit që e kanë, ne i lutëm që të presin pak e të shkojmë me veprimin e parë, me alarmin e tashëm, me këtë protestë”, shtoi ai.
Jasharaj shtoi se i ka dërguar letër ministrit të Financave, Hekuran Murati që të veprojnë me procesim të pagave për këta mësimdhënës.
“Qeveria e Kosovës le ta dijë se punëtorët e arsimit në Viti e kanë zërin e tyre që i mbron. Unë dje i kam dërguar një letër zotit Murati duke e lutur që pozitën që e ka si ministër i Financave t’i lërë deklaratat ‘ka ai apo ky faj’, kushdo që ka faj, mësimdhënësit nuk kanë faj, por që sot Qeveria le t’i procesoj pagat në të kundërtën do fillojë me Vitinë, por Vitia nuk do mbetet vetëm edhe me veprime tjera sindikale” – tha Jasharaj.
Ai po ashtu bëri thirrje që bankat të mos vendosin kamata shtesë për këta punonjës që nuk kanë marrë ende pagat nga qeveria.
“Është mëkat që këta njerëz, përpos që nuk kanë paga, do përballen edhe me kamata shtesë dhe i lus bankat to mos veprojnë tani dhe mos ti ndëshkojnë edhe më shumë kolegët tanë të cilët nuk kanë ku ti marrin paratë sepse qeveria padrejtësisht i ndëshkoi, e kam frikë se nëse vazhdohet me këtë lojë të keqe, e në buxhet ka mjaft para, në këtë mënyrë do preken edhe komuan tjera. Ky rrezik Vitisë mund të shpërndahet edhe në komuna tjera ku mëshimdhënës të mbeten pa paga,”- tha Jasharaj.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut në Viti, Kemajl Bislimi tha se kanë protestuar edhe para komunës së Vitisë dhe sipas tij, nga komuna thonë se fajin e ka Qeveria e Kosovës.
Ai tha se nëse pagat nuk ekzekutohen sot, numri i protestueseve do të jetë më i madh ditëve në vazhdim.
“Do të jetë numri shumë më i madh nëse nuk ekzekutohen pagat që sot. Ata (komuna) na kanë thënë se faji është te qeveria. Ne nuk e dim si është, neve po na interesojnë pagat tona me u ekzekutu edhe pse ka mbetur vetëm komuna e Vitisë. Le të del dikush le të na tregon se faji është dikund tjetër, atëherë ne drejtohemi atje”- tha Bislimi.
Punonjësit e arsimit fillor dhe të mesëm në komunën e Vitisë nuk kanë marrë pagat për muajin shtator.
Këtë njoftim e bëri Ministria e Financave, e cila tha se kjo ka ndodhur pasi që Komuna nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm.
Ndërsa, nga Komuna e Vitisë thonë se ata nuk kanë faj, pasi që Ministria ka marrë mjetet për paga për të paguar obligimet e kontratave kolektive.